Vendosni fjalën kyçe....

Rrëzohet streha e betonit te stacioni i trenit, 13 viktima në Serbi


13 persona kanë humbur jetën në Serbi pas rrëzimit të një strehe betoni në hyrjen e një stacioni hekurudhor në qytetin verior Novi Sad.

Ministri i Brendshëm Daçiç tha se të paktën katër persona të tjerë janë shtruar në spital me lëndime të rënda, ndërsa ekipet e shpëtimit kanë mundur të mbërrijnë te dy persona, përfshirë një vajzë, të cilët janë ende të varrosur nën grumbuj betoni, raportoi BBC.

“Falënderoj ekipet e kërkim-shpëtimi, policët, mjekët, teknikët dhe infermierët që po luftojnë për çdo jetë dhe për të shpëtuar njerëzit nën rrënoja”, tha Daçiç në një postim në rrjetet sociale.

Ambulancat dhe ekipet e tjera të urgjencës u dërguan në stacionin në qendër të qytetit dhe buldozerët po largonin mbeturinat në kërkim të të mbijetuarve.

Pamjet e kamerave të vëzhgimit treguan njerëz që lëviznin dhe dilnin nga ndërtesa dhe uleshin në stola përpara se struktura e betonit të rrëzohej papritmas mbi ta. Objekti është rinovuar së fundmi.

Daçiç tha se operacioni i shpëtimit ishte “jashtëzakonisht i vështirë” dhe se do zgjaste të paktën edhe disa orë të tjera.

Kryeministri serb Millosh Vuçeviç tha se “kjo është një e premte e zezë për ne, për të gjithë Serbinë”.

Vuçeviç tha se çatia është ndërtuar në vitin 1964 dhe po bëhet një hetim për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur dhe kush është përgjegjës për tragjedinë.

Stacioni hekurudhor i Novi Sadit u rihap në korrik pas tre vitesh punë rinovimi. Puna ndërtimore ishte ende në vijim në disa pjesë të stacionit.

Një lidhje hekurudhore për trena me shpejtësi të lartë midis Novi Sadit dhe kryeqytetit Beograd u hap në mars 2022.