Vendosni fjalën kyçe....

Kontrolli shëndetësor për vendet kandidate në BE; Rrugë e gjatë përpara për Shqipërinë


Vendet, që aspirojnë t’i bashkohen BE-së, kanë punë të rëndësishme përpara për të përmbushur standardet shëndetësore të bllokut, të cilat përfshijnë përafrimin me rregulloret komplekse shëndetësore të BE-së.

Siç tha komisioneri Olivér Várhelyi, i cili është caktuar për të marrë rolin e Komisionerit të Shëndetësisë në mandatin e ardhshëm: “Zgjerimi është ndër tre çështjet kryesore, që liderët tanë po diskutojnë në ditët e sotme.”

Vlerësimi i sivjetshëm i përparimit të vendeve kandidate drejt anëtarësimit të BE-së, hedh dritë mbi reformat në lidhje me shëndetësinë, që nevojiten për përafrimin me ato të BE-së.

Shumë kandidatë duhet të përshtatin ende kornizat kombëtare me standardet e BE-së, duke përfshirë infrastrukturën shëndetësore dixhitale, programet parandaluese dhe rregulloret për duhanin dhe alkoolin.

Ritmi i proërparimit në harmonizimin e rregulloreve shëndetësore ofron një matës të qartë të gatishmërisë së secilit vend për anëtarësim në BE.

Rrugë e gjatë përpara: Shqipëria, Bosnja, Kosova

Për Shqipërinë, Bosnjën dhe Kosovën, përafrimi me standardet shëndetësore të BE-së është ende në fazat e hershme, duke treguar një rrugë të gjatë përpara.

Bosnja dhe Hercegovina nuk tregoi përparim të rëndësishëm në vitin 2024, veçanërisht duke luftuar për të harmonizuar kuadrin e saj ligjor me ligjet e BE-së, për kontrollin e duhanit dhe për t’i zbatuar ato, sipas ekzekutivit të BE-së.

Për më tepër, pjesëmarrja e kufizuar e Bosnjës në aktivitetet teknike të Qendrës Europiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC) pengon integrimin e saj në sistemin e agjencisë së BE-së.

Raporti i vendit thekson se korrupsioni në sektorin shëndetësor të Bosnjës, veçanërisht i ekspozuar gjatë pandemisë për shkak të parregullsive në prokurimin mjekësor, mbetet një pengesë për ofrimin efektiv të kujdesit shëndetësor.

Shqipëria përballet me sfida në forcimin e fuqisë punëtore dhe infrastrukturës së saj të kujdesit shëndetësor, veçanërisht në kujdesin parësor, ku qytetarët shpesh përdorin kujdesin shëndetësor privat për shkak të mundësive të kufizuara publike.

Është bërë përparim me pjesëmarrjen e subjekteve shqiptare në Aleancën e BE-së për Medikamentet Kritike dhe miratimin e një plani veprimi për shëndetin mendor në vitin 2023. Megjithatë, një regjistër kombëtar për kancerin ende mungon dhe ndalimet për pirjen e duhanit në hapësirat e brendshme publike zbatohen dobët. BE së fundi u rekomandon shteteve anëtare t’i zgjerojnë ato në zona të caktuara të jashtme.

Kosova përballet me pengesa të ngjashme, duke përfshirë sistemin e pazhvilluar të financimit të shëndetësisë, i cili kufizon qasjen në mbulimin shëndetësor universal. Pa një mekanizëm efektiv strategjik të blerjes, shërbimet shëndetësore të Kosovës mbeten joefikase dhe pabarazitë në rezultatet shëndetësore vazhdojnë.

Megjithatë, Kosova ka bërë përparim në të drejtat e pacientëve në kujdesin shëndetësor ndërkufitar dhe ka zbatuar një program të depistimit të kancerit, megjithëse kontrollet nuk janë sistematike dhe vendit gjithashtu i mungon një regjistër për kancerin.

Vend për përmirësim: Moldavi, Ukrainë

Moldavia dhe Ukraina treguan “një nivel përgatitjeje në mbrojtjen e shëndetit” për Komisionin, megjithëse nevojiten përmirësime thelbësore.

Ukraina është në një situatë të veçantë, shpjegoi kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, duke paraqitur paketën e zgjerimit: “Ukrainasit po luftojnë dy beteja në të njëjtën kohë: Një luftë e vërtetë në fushën e betejës dhe një tjetër për të shtyrë reformat e nevojshme për t’u bërë anëtare e BE-së. Dhe ne do të mbështesim Ukrainën në të dy frontet.”

Duke u përballur me sfidat e luftës, Ukraina ka arritur ende të bëjë njëfarë përparimi në reformën shëndetësore, duke përfshirë iniciativat për parandalimin e kancerit dhe masat kundër sëmundjeve ngjitëse.

Në Moldavi, sistemi shëndetësor mbetet i brishtë pas COVID-19 dhe mes krizave të vazhdueshme të refugjatëve dhe energjisë. Një strategji kombëtare shëndetësore synon të modernizojë sektorin shëndetësor të Moldavisë deri në vitin 2030 dhe vendi ka nisur programet e kontrollit për kancerin e gjirit, qafës së mitrës dhe kolonës.

Nivel i mirë: Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia

Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia u konsideruan të përgatitura mesatarisht, pasi kishin arritur përparim kyç në përafrimin e rregullave shëndetësore të BE-së.

Serbia, për shembull, ka përditësuar legjislacionin e të dhënave shëndetësore në përputhje me ligjet e BE-së për mbrojtjen e të dhënave, megjithëse zbatimi i kontrollit të duhanit dhe ndërgjegjësimi për vaksinimin e fëmijërisë kërkon përmirësim. Shërbimet e shëndetit mendor të bazuara në komunitet në Serbi gjithashtu mbeten të pazhvilluara me akses të ulët.

Mali i Zi tregoi një nivel të mirë gatishmërie, mbështetur nga strategjia e tij e zhvillimit të kujdesit shëndetësor (2023-2027) e miratuar në tetor 2023 dhe investimet e fundit në infrastrukturën e TI-së për të përmirësuar aksesin e shërbimeve dhe cilësinë e shërbimeve të kujdesit shëndetësor. Në fillim të vitit 2024, Mali i Zi madje nënshkroi një marrëveshje asociimi për t’u bashkuar me programin EU4Health, i parë si një hap premtues drejt integrimit.

Maqedonia e Veriut, edhe pse e përgatitur mirë, përballet me sfida në financim dhe personel, sipas raportit. Vendi ka më pak specialistë dhe infermierë për frymë se mesatarja e BE-së dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor shpesh largohen nga sektori publik për role private ose punojnë jashtë vendit.

Kandidati më i mirë: Turqia

Turqia shquhet si vendi më i përgatitur për anëtarësimin në BE vetëm për kriteret e saj shëndetësore. Pavarësisht pengesave nga tërmetet e shkurtit 2023, Turqia ka bërë përparim të rëndësishëm në menaxhimin e kërcënimeve shëndetësore ndërkufitare dhe sëmundjeve ngjitëse.

Politika e vendit për deinstitucionalizimin e shëndetit mendor ka çuar në krijimin e 182 qendrave komunitare të shëndetit mendor në të gjithë vendin.

Megjithatë, Komisioni vëren se barrierat për kujdesin shëndetësor riprodhues për gratë mbeten, pjesërisht për shkak të normave shoqërore. Turqia kryeson gjithashtu rajonin europian në dhurimin e organeve, megjithëse përqindjet e dhuruesve të ndarë nga jeta mbeten të ulëta.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor