Prokuroria e Posaçme kishte sot një agjendë të ngjeshur me marrjen në pyetje të politikanëve të cilët thirren për të dëshmuar për çështje që janë të akuzuar apo kanë dijeni.
I pari që u paraqit në SPAK ishte ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.
Edhe pse një herë i dënuar për shpërdorim detyre këtë herë Tahiri nuk ishte në SPAK si i pandehur apo pjesë e ndonjë kallëzimi penal ndaj tij.
Tahiri u thirr në SPAK për të dhënë dëshminë e tij për një kallëzim të bërë në 2015 për çështjen e 21-janarit.
“U pyeta për 21 janarin dhe kallëzimin që kam bërë në vitin 2015”, u shpreh Tahiri kur doli nga SPAK-u.
Në deklaratat e tij për mediat, Tahiri ka rikujtuar fjalimin e tij në Kuvend në 2015, ku akuzoi ish-kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, se kishte dhënë urdhër për përdorimin e lëndëve kimike ndaj protestuesve.
Një tjetër politikan që u paraqit në SPAK ishte deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi.
Baçi u thirr në SPAK pasi ndaj tij është bërë një kallëzim për fshehje dhe pastrim të një shume prej 1.5 milionë eurosh.
Në daljen e tij nga prokuroria ai tha për mediat se është paraqitur në SPAK pasi është rikallëzuar nga një patronazhist për një çështje që është mbyllur më parë.
““Ka qenë një kallëzim dhe është pushuar si çështje. Është hetuar pasuria ime fill e për pe. Në të gjitha detajet pa asnjë lloj problem. Unë kam transparencë të plotë të punëve dhe biznesit tim. Jam shumë I qetë. Shumë normal. Nuk kam asnjë lloj problem. Është mbyllur si çështje. I njëjti kallëzues patronazhist, ka ardhur përsëri e ka bërë kallëzim. Ndoshta dhe SPAK për t’i bërë qejfin qytetarëve, edhe kur janë mjeranë të tillë që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër vetëm të bëjnë kallëzime të tilla”.- tha Baçi.
Pas Tahirit dhe Baçit në SPAK u pa të hynte edhe Benet Beci.
Beci ka qëndruar në SPAK rreth 40 minuta, ndërsa ndryshe nga dy të parët ai shmangu komentet për mediat duke kyçur gojën.
Nuk dihet se për kë çështje ka folur Beci në SPAK dhe çfarë është pyetur.
Duket se SPAK-u ka nisur një fushatë intensive dhe politikanët janë ndër shënjestrat kryesore dhe objektivi për funksionin për të cilin është krijuar duke mos munguar dhe kallëzimet e shumta që disponon ku politikanë nga të gjitha kampet akuzohen për korrupsion apo shpërdorim detyre.
Deri më tani nga figurat e larta që SPAK-u ka nën hetim apo janë lëshuar masa sigurie janë Sali Berisha i cili qëndron në arrest shtëpie prej disa muajsh dhe Ilir Meta i arrestuar disa ditë më parë ku akuzohet për mosdeklarim të ardhurash dhe shpenzimesh.