Vendosni fjalën kyçe....

“Qytetërimi është më i fortë se krimi, po na vrasin, duhet reagim”, çfarë u pa sot në marshimin e opozitës në Shkodër


Partia Demokratike organizoi një marshim në Shkodër për të protestuar ndaj masakrës së ndodhur më 30 tetor në Dobraç, ku u ekzekutuan me armë 23-vjeçari Hamza Lici, 32-vjeçari Arlind Bushati dhe një qytetare e pafajshme, Flutura Basha.

Ngjarja rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash drejt mjetit ku udhëtonin dy viktimat 23-vjeçari Lici (shofer) dhe 32-vjeçari Arlind Bushati (pasagjer).

Protestuesit marshuan në heshtje nga Bashkia e Shkodrës, mbajtur pankarta që shpreheshin se “qytetërimi është më i fortë se krimi”.

Luçiano Boçi, drejtuesi politik i qarkut të PD-së në Shkodër, deklaroi se Shqipëria aktualisht po sundohet nga krim-politika, një fenomen që sipas tij mbështetet nga qeveria dhe policia. Boçi e theksoi se marshimi ishte një reagim jo vetëm për tragjedinë e ndodhur në Dobraç, ku u ekzekutuan tre persona, por për të gjithë vendin, duke theksuar se atentati kishte si qëllim mposhtjen e qytetit.

“Krimi mbron interesat e veta financiare dhe, kur i prishin, bën vrasje. Ky marshim është për të gjithë Shqipërinë; nuk ka më kohë për heshtje, por për mosbindje. Ne do ta vazhdojmë aksionin tonë,” tha Boçi.

Ndërkaq kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, gjithashtu theksoi rëndësinë e protestës si një organizim qytetar. Ai e përshkroi ngjarjen si të paralajmëruar dhe të parandaluar, duke theksuar se lidhjet e forta të krimit me politikën janë një fenomen që duhet kundërshtuar.

“Jemi këtu për të shprehur mosdakordësinë tonë ndaj pushtetit që krimi i organizuar ka marrë në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë,” përfundoi Bardhi, duke nënvizuar nevojën për një angazhim të menjëhershëm ndaj situatës së krijuar.

Ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, gjithashtu foli për masakrën e fundit në qytet, duke e cilësuar atë si një traumatizim për të gjithë Shkodrën dhe një shok për mbarë shqiptarët. Ai theksoi se qytetarët shkodranë po jetojnë nën thundrën e krimit të organizuar dhe se ata janë lënë pa mbështetje nga strukturat e shtetit.

Spahia kërkoi një angazhim të menjëhershëm nga ana e shtetit për të siguruar rendin dhe mbrojtjen e qytetarëve. 

Ai kritikoi gjithashtu politikën e qeverisë, duke theksuar se në vend që të luftonte krimin e organizuar, ajo duket se po ofron mbështetje për të. 

“Të rinjtë nga Shkodra nuk ikin për një jetë më të mirë, sikundër thuhet, nuk ikin për të qëndruar në rradhë për të marrë ushqimin me gavetë, ikin se këtu nuk ka siguri, nuk ka shpresë”, u shpreh një nga qytetarët e pranishëm në marshimin që po zhvillohet në Shkodër kundër krimit të organizuar.

Protesta përfundoi pas 50 minutash me drejtuesin politik te qarkut të PD-së në Shkodër, Luçiano Boçin, i cili falënderoi qytetarët për mbështetje dhe theksoi angazhimin e opozitës për të denoncuar krimin.

Ai nënvizoi se SPAK ka të dhënat e nevojshme për të luftuar krimin e organizuar dhe shpalli një politikë të “tolerancës zero” ndaj bandave të lidhura me qeverinë Rama. Boçi kërkoi veprime të shpejta për të adresuar këtë problem në të gjithë Shqipërinë