Prokuroria e Elbasanit ka sqaruar sot detaje nga hetimi i skandalit të korrupsionit në Universitetin e Elbasanit, Fakulteti i Ciklit të Ulët, për të cilin u arrestuan 6 pedagogët dhe sekseri i dyshuar, që ishte bashkëshorti i një prej pedagogeve, teksa një tjetër është në kërkim.
Organi i akuzës sqaroi se më 1 nëntor ka regjistruar procedimin penal nr.1362/2024 me të dhëna për veprën penale të “shpërdorimi detyrës” dhe “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Denoncimi është bërë nga qytetari me inicialet A.Ll., ku referuar edhe transmetimit nga një emision televiziv, ishin dhënë shuma parash te i dyshuari si sekser Gazmend Hodaj, me qëllim kalimin e një studenteje në provimet e sezonit të vjeshtës, në Fakultetin e Ciklit të Ulët në Universitetin e Elbasanit.
Pasi ka marrë kallëzimin, Prokuroria ka zbarkuar në Universitet, ku janë administruar dhe këqyrur pamjet filmike të vëna në dispozicion prej qytetarit, por edhe janë pyetur personat që kishin dijeni.
“Menjëherë në vijim të veprimeve hetimore të kryera janë bërë kontrollet e banesave dhe sekuestrimet e provave materiale si dhe shoqërimi i personave në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Është shkuar në ambientet e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” si dhe në Fakultetit e Ciklit të Ulët në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, ku është ushtruar kontrolli dhe është bërë sekuestrimi i dokumentacionit në lidhje me rastin korruptiv”, bëri me dije organi i akuzës.
Gjithashtu më tej u administrua procesverbali në Sekretari për dokumentacionin për secilën nga lëndët mësimore që studentja ka dhënë si provime të mbartura në zezonin e vjeshtës (muaji Shtator 2024).
“Në veprimet hetimore të kryera është krijuar dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, se shtetasi G.H. ka konsumuar veprën penale “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim, ndërsa shtetasit M.H., F.T., B.G., A.Sh., Z.G., O.B., dhe E.G. kanë konsumuar veprën penale “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim dhe “shpërdorim i detyrës” , e parashikuar nga neni 259/1-25 dhe 248 të Kodit Penal”, tha Prokuroria.
Gjykata ka dhënë më 1 nëntor masën “arrest me burg” për të 8 të dyshuarit dhe hetimi është ende aktiv.
Policia bën të ditur se gjatë operacionit “Teza” u arrestuan në flagrancë Monika Hodaj, pedagoge e lëndës ‘Edukim gjinor ne fëmijërinë e hershme’, Beatriçe Gani e lëndës ‘Të mësuarit nëpërmjet lojës’, Florinda Tarusha, e Filozofisë së edukimit, Adrian Shingjergji, pedagog i lëndës Edukimi motorrik, Ornela Bilali, pedagoge e ‘Artit dhe krijimtarise’ dhe Zyhra Gripshi, pedagoge e lëndës ‘Puna me familjen dhe komunitetin’. Pedagogia që ende nuk është arrestuar është Edlira Gugu, e lëndës “Letërsi për fëmijë”.
Emrat e pedagogëve të pezulluar dhe të arrestuar
- Ornela Bilali, 50 vjeçe, Lënda: Arti dhe krijimtaria në fëmijërinë e hershme.
- Zyhra Gripshi, 37 vjeçe Lënda: Puna me familjen dhe komunitetin.
- Adrian Shingjergji, 61 vjeç, Lënda: Edukimi motorrik dhe lojërat lëvizore.
- Beatriçe Gani, 58 vjeçe Lënda: Të mësuarit nëpërmjet lojës.
- Florinda Tarusha, 56 vjeçe, Lënda: Filozofi e edukimit.
- Monika Hodaj, 49 vjeçe, Lënda: Edukim gjinor ne fëmijërinë e hershme.
- Gazmend Hodaj, 59 vjeç, sekser
Në kërkim
- Edlira Gugu, Lënda: Letërsi për fëmijë.