Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Koçiu: Vlerësimi i koncesioneve të Sterilizimit dhe Checkup-it do të bëhet pas konsultimeve me ekspertët


Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, ka qenë sot e ftuar në Komisionin Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi, ku ka dhënë disa sqarime lidhur me dy koncesionet që janë aktualisht nën hetim: ai i sterilizimit dhe ai i checkup.

Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka pyetur ministren se çfarë do të ndodhë me këto koncesione kur kontratat të përfundojnë, dhe cili do të jetë vendimi i qeverisë në lidhje me të ardhmen e tyre.

Në përgjigje, Albana Koçiu ka shmangur të japë një deklaratë të prerë, duke theksuar se për të marrë një vendim përfundimtar do të bëhet një vlerësim i performancës së dy kontratave aktuale. Sipas ministres, ky vlerësim do të bazohet në konsultime me ekspertë dhe grupe të interesit, dhe pas këtyre diskutimeve do të merret një vendim për ecurinë e këtyre koncesioneve.

Ministrja ka theksuar se, për momentin, nuk mund të bëhet një prononcim përfundimtar, pasi procesi i vlerësimit është ende në zhvillim dhe vendimi do të merret në përputhje me rezultatet e këtyre analizave.

Petrit Vasili: Pas 9 vite koncesion i sterilizimit, cili është vendimi juaj në të ardhmen, çfarë ndodh me ecurinë  e koncesionit ditën që koncesioni mbaron?

Albana Koçiu: Do diskutoja me shumë qejf me ju në lidhje me ecurinë e dy kontratave, por nuk besoj që duhet të vazhdojmë një diskutim si do të vijojë ecuria e këtyre dy kontratave, për aq kohë që ky do jetë një diskutim  që do merret me institucionet, me ekspertët pas vlerësimit performance të dy kontratave aktuale.

Për ketë arsye po rezervohem të them diçka të prerë përsakohë do të zhvillohen diskutime në tryeza ekspertësh dhe të rrihet dhe opinioni i grupit të interesit të përfshira në zbatimin e këtyre kontratave.