Vendosni fjalën kyçe....

Projekti 1.2 mld euro në energji të rinovueshme i shtyhet afati, rrëzohen kërkesat e disa strategjikëve


Projektit me vlerë 1.2 miliardë euro në energji që fitoi vitin e shkuar statusin “Projekt me Potencial Strategjik”  i është shtyrë afati për vlefshmërinë e këtij statusi me 6 muaj.

Komiteti i Investimeve Strategjike ka argumentuar se nga ana e kompanisë Eralb Invest 2 shpk janë hedhur disa hapa por brenda kësaj periudhe të re kohore duhet të kryejë të gjithë procedurat për të përfituar statusin përfundimtar “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.

Projekti në fjalë parashikon ndërtimin e një Parku i energjisë diellore 190 MW dhe të erës 636 MW, Tropojë.

“Projekti synon të realizojë një investim kompleks të përbërë nga një park i energjisë së erës me kapacitet 636 MW, ku do të instalohen 100 turbina ere si dhe nga një park fotovoltaik me kapacitet 190 MW, ku do të instalohen 418 500 panele diellore” thuhej në atë kohë në parashtrimin e KIS.

Tashmë në vendimin e korrikut 2024 dhe të publikuar së fundmi thuhet se ndërmjet Bashkisë Tropojë dhe subjektit Eralb Invest 2 është lidhur kontrata e qirasë me nr. 4807/2 prot., datë 31.10.2023 “Për dhënien në përdorim të fondit pyjor publik” për një sipërfaqe prej 31.06 ha.

Sipas kësaj kontrate ngastrat e kërkuara nga subjekti nuk përputheshin me ngastrat e vëna në dispozicion nga Bashkia Tropojë, ndaj implementimi i projektit lidhur me zbatimin e fazës së parë, fazës së matjes në terren të burimeve të erës, u bë i pa realizueshëm për shkak të këtyre mospërputhjeve.

“Pas saktësimit dhe verifikimit të sipërfaqeve sipas koordinatave të gjurmës së synuar, ndërmjet Bashkisë Tropojë dhe subjektit Eralb Invest 2 u lidh kontrata e qirasë Nr.1086/9 prot., datë 18.04.2024 “Për dhënien në përdorim të fondit pyjor publik” për një sipërfaqe prej 39.02 ha me afat 10 vjeçar” thuhet në vendim.

Të refuzuarit e KIS

Në listën e vendimeve të fundit të KIS duket se ka edhe disa propozime që nuk janë pranuar ashtu sikurse ka investitorë që kanë pasur statusin aktiv dhe kanë kërkuar shtyje por që nuk është parë e arsyeshme që të bëhet kjo.

Komiteti ka miratuar një shtyje  të Statusit “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Veçantë” për projektin e investimit strategjik “Cape of Rodon Faza 1”, i cili do të realizohet nga subjekti “Premium Finance Invest sh.p.k.” me NUIS/NIPT L61711009G për një periudhë 2 (dy) vjeçare dhe që sipas vendimit bëhet fjalë për një kompleks turistik.

Kërkesës për shtyje të afatit të Statusit “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e asistuar” për projektin e investimit strategjik “Drymades Beach Resort, i cili realizohet nga subjekti “Blue Bay sh.p.k” KIS i është përgjigjur me mospranim.

E njëjta gjë është aplikuar edhe për një projekt të akuaponisë  i cili parashikonte të ngrinte një fermë në zonën e Remasit në Lushnjë. “Aquatiq sh.p.k” kërkoi shtyrje të afatit të statusit “Investim/Investitor strategjik procedurë e asistuar” për projektin e investimit “Fermë Akuaponike” e cila nuk i është miratuar.

Një tjetër subjekt Rodon Group shpk ka kërkuar miratimin e statusit për projektin Rodon Shores që parashikon zhvillimin e një resorti turistik, i cili konsiston në ndërtimin e disa hoteleve, vilave dhe apartamenteve së bashku me ambiente shërbimi, si edhe restorante. Projekti përfshin dhe një pistë helikopteri, një kulle vrojtimi dhe një mol me kapacitet ankorimi 30 mjete lundruese, si dhe zhvillimin e një parku me struktura të përkohshme.

Vlera e investimit llogaritet 210 milionë euro por KIS ka vendosur të mos miratojë status si investim strategjik duke argumentuar se bëhet fjalë për vila rezidenciale.

“Projekti në pjesën më të madhe të tij nuk përfshin komponentë që i përkasin sektorit të turizmit si hotel, vila në funksion të hotelit, ambiente shërbimi, bare e restorante, si edhe shërbime të tjera relaksi e rekreacionit, por më së shumti përfshin zhvillimin e rezidencave dhe apartamenteve të banimit” thuhet në dokument.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale i Revista Monitor