Vendosni fjalën kyçe....

Projektbuxheti i vitit 2025, Tabaku: Mungon një agjendë e qartë e reformave ekonomike


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësime të forta lidhur me projektbuxhetin e vitit 2025, duke vënë në dyshim efektivitetin e masave të parashikuara dhe duke kërkuar sqarime nga qeveria për disa nga burimet e të ardhurave.

Tabaku kritikoi qeverinë për premtimet që taksa e Windfall, e mbledhur gjatë krizës së çmimeve të energjisë, do të përdorej për rritjen e pensioneve, duke pyetur për fatin e këtyre të ardhurave. “Ku është mbledhur kjo taksë dhe për çfarë është përdorur ajo?” tha Tabaku, duke theksuar mungesën e transparencës.

Ajo gjithashtu shprehu shqetësim për parashikimin e rritjes së të ardhurave nga lufta kundër informalitetit, duke theksuar se, megjithëse pritej që rritja e pagës minimale dhe sigurimeve shoqërore të sillte 60 milionë euro në buxhet, lufta ndaj informalitetit ka sjellë vetëm 15 milionë euro. “Si do t’i rrisni pensionet që pretendoni?”, pyeti Tabaku.

Fjala e Deputetes Jorida Tabaku:

“E shoh me shqetësim modelin e rritjes ekonomike dhe të ardhurave që keni parashikuar në këtë projektbuxhet. Nuk shoh asnjë stimulim ekonomik mbi ekonominë dhe më mbetet e paqartë se si planifikoni t’i arrini këto të ardhura. Rritja ekonomike e vendit është mbështetur vetëm në sektorin e ndërtimit, i cili nuk ka sjellë ndikim zinxhir tek sektorët e tjerë.

Qeveria ka premtuar që taksa e Windfall do të shkojë për rritjen e pensioneve, duke u bazuar në të ardhurat ekstra nga kriza e çmimeve të energjisë. Ku jemi me mbledhjen e kësaj takse dhe për çfarë është përdorur ajo?

Një tjetër shqetësim është parashikimi prej 40 milionë euro nga të ardhurat e lojërave të fatit. Cilat janë bazat për këtë rritje të pretenduar?

Ju përsëritni integrimin europian, por na mungon një agjendë e qartë e reformave ekonomike. Qeveria flet për këtë agjendë, por nuk e ka publikuar ende. A ekziston vërtet ky plan dhe përse mbahet i fshehur, kur disa pjesë janë në konsultim publik?

Fatkeqësisht, nuk ka asnjë politikë fiskale për të lehtësuar bizneset nga barra rregullatore. Si do t’i japim liri sektorit privat kur mungon çdo iniciativë për de-rregullim? Në fakt, janë bërë 217 ndryshime në ligjin për procedurat fiskale për vetëm 117 nene.

Gjithashtu, keni parashikuar rritjen e TVSH-së si pasojë e inflacionit dhe rritjen e sigurimeve shoqërore nga rritja e pagës minimale, që do të sjellë 60 milionë euro. Ndërkohë, lufta ndaj informalitetit do të sjellë vetëm 15 milionë euro më shumë. Pra, si do t’i rrisni pensionet që pretendoni?”