Vendosni fjalën kyçe....

Apeli shfuqizoi përjashtimin e deputetëve të PD, Bardhi: Ata që na penguan me Forca Sigurie të hynim në Kuvend, do mbahen përgjegjës


Gjykata Administrative ka shfuqizuar vendimin e përjashtimit të disa deputetëve të Partisë Demokratike nga Kuvendi, të cilët ishin ndëshkuar pas trazirave të ndodhura gjatë seancës plenare të datës 30 Shtator.

Gjatë kësaj seance, u shkaktuan dëme të konsiderueshme, duke përfshirë djegien e karrigeve jashtë oborrit të Kuvendit.

“Gjykata Administrative ka shfuqizuar vendimin e Elisa Spiropalit, e cila në shkelje të Kushtetutes dhe rregullores se kuvendit përjashtoi opozitën nga Kuvendi. Vendimi u dha me ekzekutim te përkohshëm, pra aplikohet menjëherë”, thuhet në reagimin e Grupit të PD-së.

Kujtojmë se Sekretariati i Etikës më 2 Tetor mori vendimin që të përjashtonte me 60 ditë nga punimet e Kuvendit tre deputetët e PD, Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati.

Ndërkohë deputeti tjetër, Edi Paloka u ndëshkua me 10 ditë përjashtim nga punimet e Kuvendit, ndërsa të tjerët me 40 ditë.

Luan Baçi,Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Saimir Korreshi, Lefter Geshnjte, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Ludovik Hasani, Ramadan Lika, Asllani Dogjani, Qani Xhafa, Kasem Mahmutaj dhe Edmond Spaho u perjashtuan me 40 dite.

Kujtojmë që Kuvendi ka deklaruar se deputetët e opozitës do të paguajnë dëmet e shkaktuara në sallë, nga paga e tyre e cila do t’i mbahet automatikisht nëse nuk e japin vullnetarisht.

Në faturë do të përfshihen edhe dëmet në pajisje elektronike, mikrofonë, foltore dhe ekrane.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas ketij vendimi.

Ai e quajti vendimin e Gjykatës si një konfirmim të drejtësisë së betejës ligjore të opozitës për të rikthyer kushtetutshmërinë dhe rendin në Kuvendin e Shqipërisë. Ai kritikoi ashpër Kuvendin nën drejtimin e Kryetares Elisa Spiropali, duke e quajtur atë një “çerdhe paligjshmërie”, ku, sipas tij, veprojnë forca të arrogancës dhe shkelje të Kushtetutës.

Bardhi u shpreh gjithashtu për aktin e rrethimit të Kuvendit me tela hekuri dhe forcën e sigurisë për të penguar deputetët e opozitës, një veprim që ai e cilësoi si të denjë për regjime autoritare, dhe jo për një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për në Bashkimin Europian.

Reagimi:

Dënimi PA LIGJ i opozitës, konfirmuar sot edhe nga Gjykata, provon drejtësinë e betejës së deputetëve të PD për të kthyer kushtetutshmërinë dhe rregullin në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë. Për fat të keq, nën drejtimin e Elisa Spiropalit, Kuvendi është kthyer si asnjëherë më parë në një çerdhe paligjshmërie, ku vepron forca e arrogancës dhe shkelja brutale e Kushtetutës.

Rrethimi i Kuvendit me tela hekuri dhe me qindra Forca Sigurie, për të penguar 24 deputetë të opozitës, në shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit, të ushtrojnë detyrën e tyre, është i denjë vetëm për regjimet autoritare dhe kurrësesi për një vend anëtar të NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian.

Ne presim me padurim që t’i vijë zëri për të dënuar aktin antikushtetuese, kujtdo që fajësonte me pa të drejtë opozitën dhe i kërkonte asaj që të luante rolin e vet brenda Kuvendit, ndërkohë që e vërteta ishte që opozita po pengohej me dënime PA LIGJ, me tela hekuri dhe Forca Sigurie, që të futej në Kuvend.

Është rasti i parë në histori që deputetët e opozitës dënohen me një rregullore që e kishte shfuqizuar Gjykata Kushtetuese, duke injoruar vendimin e saj për t’i konsideruar masat e përjashtimit si jo proporcionale.

Ata që PA LIGJ penguan me Forca Sigurie për rreth 40 ditë deputetët e opozitës të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues do të mbahen përgjegjës!