Të paktën 89 persona mbeten të zhdukur pas përmbytjeve vdekjeprurëse në Spanjën lindore, thanë të martën autoritetet rajonale në Valencia ndërsa kryeministri Pedro Sanchez tha se po caktonte 10.6 miliardë euro për të ndihmuar viktimat.
Numri përfshin vetëm ata që janë raportuar të zhdukur nga familjarët e tyre që kanë dhënë gjithashtu informacione personale dhe mostra biologjike për të lejuar identifikimin e tyre, tha në një deklaratë Gjykata e Lartë e Valencias. Ajo shtoi se mund të ketë më shumë raste të njerëzve që janë zhdukur, të dhënat e të cilëve nuk janë regjistruar ende.
Më shumë se 200 njerëz u konfirmuan se kishin vdekur pasi shirat e dendur javën e kaluar shkaktuan përmbytjet më të rënda prej shumë dhjetëvjeçarësh në qytetin e Valencias.
“Ka ende persona të zhdukur, shtëpi dhe biznese të shkatërruara, të varrosura nën baltë dhe shumë njerëz vuajnë nga mungesa të rënda,” tha Sanchez në një konferencë shtypi në Madrid më herët të martën.
Të paktën 217 njerëz vdiqën në Valencia, Castile-La Mancha dhe Andaluzi, por vetëm 133 janë identifikuar deri tani.