Vendosni fjalën kyçe....

Peleshi- opozitës: Ndajeni mendjen, do i zbatoni vendimet e gjykatave apo do të digjni karriget


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, ka kërkuar që opozita të marrë një qëndrim të qartë në lidhje me vendimet e gjykatave, duke theksuar se nuk mund të mbajë dy standarde. Në një fjalim nga foltorja e Kuvendit, Peleshi u shpreh se opozita duhet të vendosë nëse do të pranojë ose do të kundërshtojë vendimet e gjykatave, duke i zbatuar ato në tërësi.

Peleshi ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Administrative që ka zbutur masën e përjashtimit të disa deputetëve të Partisë Demokratike, duke theksuar se mazhoranca nuk është dakord me këtë vendim, por nuk ka zgjedhur të reagojë në mënyrë destruktive. Ai ka krahasuar qëndrimin e mazhorancës me atë të opozitës, e cila, sipas tij, ka djegur karriget e Kuvendit për shkak të një vendimi të një gjykate dhe tani po kërkon të shfrytëzojë një tjetër vendim gjykate që i jep mundësinë për t’u rikthyer në Kuvend.

“Opozita në të drejtën e saj që të zgjedhë kursin e saj.

Duhet të ndajmë mendjen se çfarë qendrimi do të mbajmë për vendimet e gjykatave. T’i pranojmë apo jo. Kjo sepse për shkak të një vendimi gjykate, ju dogjët karriget e parlamentit, tani për shkak të një vendimi gjykate jeni sot këtu. Edhe ne mund të mos jemi dakord, që një gjykatë administrative merr atributet e Kuvendit, por kemi një standard tjetër, pavarësisht flagrancës në vendim, ju sot jeni këtu dhe ne nuk po djegim karriget për tu revoltuar ndaj vendimit”, tha ai