Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, akuzoi nga burgu kreun e SPAK-ut Altin Dumani, ndërsa hodhi poshtë pretendimet se e kishte sharë gjatë seancës Dumanin duke e quajtur “qen”, “dumduman” etj.
Në një intervistë për Top Channel ai tha se çdo gjë është shpikur nga ata që i emërtoi si gazetarët e SPAK-ut ndërsa me jo pak ironi shtoi se ai i do shumë qentë.
“Edhe këtë e shpikën gazetaret e SPAK-ut. Çdo gjë ka qenë e regjistruar dhe mund t’ia kërkoni gjykatës.
Por kini parasysh që unë i dua shumë qentë sepse ata janë besnikë dhe të dashur. Po kështu edhe macet. Ndaj një kompliment i tillë s’ka dalë nga goja ime për Dumanin. Gazetarët pro Dumanit janë më qesharakët dhe më të neveritshmit që duan të mbrojnë dhe heroizojnë veprimet banditeske të një mercenari mediokër dhe hiperkarrierist.” – tha Meta.
Më tej kreu i PL-së tha se Donald Trump u zgjodh president i SHBA-ve pavarësisht dëimit të tij nga drejtësia sorosiane atje. Meta shtoi se arrestimi i tij në mënyrë kriminale bëhet në mënyrë që në vend të tij të vihet një Kryedumane.
“SHBA zgjodhi President Donald Trumpin edhe pse ai ka qenë i dënuar nga gjykata e me shumë procese nga drejtësia sorosiane atje. Por ai as u ndalua, as u pengua të garonte dhe fakti që korri një fitore historike edhe të votës popullore është tregues se populli amerikan e konsideroi sjelljen e drejtësisë atje gjueti shtrigash. Po kështu gjykatat kanë dënuar Sarkozinë, Berluskonin e shumë të tjerë, por ata nuk janë arrestuar. Por këtu arrestohet Ilir Meta në mënyrë kriminale që të mos kemi vetëm në krye të SPAK-ut një Duman por edhe në krye të Partisë së Lirisë një KryeDumane. Fali o Zot për ëndrrat e tyre!” – shtoi Meta.