Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj: Rama mashtroi me rritjen e pensioneve, hileja fshihet te mbivlerësimi i lekut

Deputeti Agron Shehaj, akuzoi sot kryeministrin Rama se ka mashtruar pensionistët lidhur me atë që e konsideron si rritje pensionesh. Kreu i Lëvizjes Mundësia tha se pensionet e qytetarëve shqiptarë mesatarisht janë rritur me vetëm 382 lekë të reja në vit.

Shehaj tha se nëse llogaritet inflacioni, që këto 10 vjet ka qenë pothuajse 30%, pensionet e shqiptarëve jo vetëm që nuk janërritur por janë ulur. Deputeti tha për gazetarët jashtë Kuvendit se Rama kur i llogariti pensionet, i ktheu në euro dhe e bëri rritjen me rreth 80% në 10 vjet.

“Dhe këtë fakt, Rama e ka transformuar me këtë hilen e vogël duke thënë që gjasme pensionet kanë kaluar nga 101 në 183. Por si qëndron e vërteta? E vërteta është që pensioni mesatar në 2013 ishte 14500 lekë. Në 2023, pensioni mesatar është 18300 lekë dhe rritja është me 26%. Praktikisht i bie 382 lekë në vit më shumë. Dhe 26% e bëri 83% duke mashtruar pensionistët, që qartësisht mbase nuk kuptojnë nga ekonomia, por e dinë sesa lekë kanë në xhep. Me një mashtrim para të gjithëve e bëri 26%-in në 83%. Si e bëri? Para se të bënte krahasimin, i ktheu njëherë në euro dhe me që leku është përforcuar në këto vite, i rriti gjasme pensionet me 83%”, tha Shehaj.