Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku kritika të ashpra buxhetit faktik 2023 në Kuvend: Ekonomi në shërbim të elitave, qytetarët e pensionistët të braktisur


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kritikoi ashpër në Kuvend buxhetin faktik të vitit 2023.

Sipas saj, ky buxhet nuk ofron asnjë zgjidhje për shqiptarët e thjeshtë dhe vijon traditën e buxheteve të mëparshme socialiste, të cilat u shërbejnë interesave të një pakice elitare.

Tabaku nënvizoi se 2023-a ishte viti kur shqiptarët përjetuan një rritje të lartë të çmimeve, ku artikujt bazë shënuan një rritje deri në 29.5%, duke rënduar tej mase xhepat e qytetarëve.

“Çfarë bëri qeveria për të ndihmuar qytetarët? Transferoi 80 milionë euro drejt firmave kontraktore për beton, ndërsa për pensionistët dhe administratën, nuk pati asnjë mbështetje konkrete,” tha ajo.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Tabaku ishte paaftësia e qeverisë për të menaxhuar buxhetin në mënyrë efikase dhe transparente.

Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSh), 70% e buxhetit për 2023 u realizua vetëm në muajin dhjetor, një praktikë që Tabaku e konsideroi si një dështim të plotë të qeverisë për të menaxhuar financat publike në kohë të duhur. Ajo ironizoi duke thënë: “Më mirë ta mbyllim shtetin për 11 muaj dhe vetëm në muajin e 12 të paguajmë faturat.”

Tabaku theksoi gjithashtu se modeli ekonomik i ndjekur nga qeveria përqendrohet vetëm në sektorin e ndërtimit dhe pastrimin e parave, duke lënë pas dore shumicën e qytetarëve.

“Shqipëria ka nevojë për një model ekonomik që i drejtohet 95% të qytetarëve dhe jo vetëm elitave,” theksoi ajo, duke i kërkuar qeverisë të mbështesë shtresën e mesme dhe të inkurajojë zhvillimin e sektorëve strategjikë si bujqësia.

Duke e përmbyllur fjalën e saj, Tabaku shprehu shqetësimin për praktikat e padrejta të taksimit, ku bizneset e vogla ngarkohen me gjoba dhe taksa të larta, ndërsa ekonomia e vendit vuan nga një nivel i lartë informaliteti dhe korrupsioni.

“Ky model ekonomik nuk mund të vazhdojë më. Është koha për një ekonomi që përfshin dhe mbështet të gjithë shqiptarët,” deklaroi ajo në mbyllje të fjalës së saj.