Vendosni fjalën kyçe....

Trumpi ka hy në gjak me Sorosin


Nga Indrit Vokshi

Në 2017, ishim në çadër dhe, në radhët e popullit të çadrës, asokohe thuhej se Donald Trumpi ka për ta rrëzuar Edi Ramën, sepse Rama e ka shajt.

Sta fal Donald Trumpi, jo. Janë shpi e fortë, gjermanë, nuk falin kollaj, të djegin.

Sot populli i çadrës është përgjysmuar por përralla mbetet po ajo; dikush prej larg, diçka prej një kontinenti apo prej një bote tjetër, do të na e heqë qafe Edi Ramën.

Është katandisur në tip feje, besohet në shpëtimin përfundimtar prej një Ngjarjeje Madhore.

Grupimet racionale, politike, qytetare, nisin organizohen për të konkuruar. Ndërsa fiset indigjene primitive, nisin thurin shpresa mbi përralla, ngujohen dhe shpresojnë se armikut të tyre, mbretit sundues zakonisht, do t’i ndodhë diçka e keqe, sepse ndodhinë e keqe e kanë parashikuar prijësit e mëhershëm. Dhe vazhdojnë e vazhdojnë, me bestytnira.

Tani prijësi, pak publikisht, pa nën tavolina, ka qarkulluar përrallën se sapo të vijë Trump, është Dita e Gjykimit.

Familja Trump është n’gjak me familjen Soros. I ka çu fjalë Trumpi Sorosit, ke për t’i ra pishman pse ke le. Sa t’i rregulloje ca punë, Trump direkt zhduk Sorosin dhe, po zhduku Sorosin, edhe listën e dasmës ka për tja.. zhduk.

Dhe Rama ka qenë në dasëm të Xhorxh por edhe Aleks Soros. Pra është te lista e dasmës Rama. Nuk shpëton. Atëherë vjen fitorja, triumfi, ngadhënjimi; vjen era hipotekë, ministri, zarf, emërim, lek, zyrë, sekretare, asistente.

Se duke ndejtur kaq gjatë në opozitë, na kanoset një rrezik, rreziku se harrojmë me vjedh, na dobësohet instikti, sdimë më, skemi vullnet. Prandaj duhet përmbysur diktatura.

Duhet një mënyrë për t’i mbajtur idhujtarët me shpresë dhe të gënjyer. Dhe mënyra është kjo. Krijimi i “eskatoligjisë” me natyre fetare, duke krijuar një Ngjarje Madhore Shpëtimtare e cila pritet të ndodhë së shpejti.

Ska rëndësi a është ngjarje reale apo imagjinare, rëndësi ka të besohet prej “bazës” që të rrijnë edhe pak kohë bashkangjitur procesionit.

E vetmja ngjarje reale e cila ska ku shkon pa ndodhur, janë zgjedhjet e 2025. Askush ska ndërmend të punojë e të organizohet, të krijojë ekip konkurues e fitues, pasi është e pamundur. Thirrja se partia duhet të sakrifikojë “deri në fund” (deri në fund të kujt?), është thirrje dominuese.

Pra askush nuk është përgatitur për ngjarjen reale, zgjedhjet. E gjithë vëmendja është tek ngjarja imagjinare ku Trump futet në zyrë dhe shfleton listën, kush ka qenë tek dasma e Sorosit.

Ky është realiteti paralel ku jemi futur për të jetuar, pasi realiteti i vërtetë është shumë sfidues e shumë i rëndë.