Tensione të forta kane nisur në Komisionin Hetimor për Sterilizimin, ku deputeti Ilir Metaj dhe kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi, u përplasën në një debat të ashpër. Ndërsa nënkryetari i komisionit, Plarent Ndreca, fliste, opozita e ndërpreu, duke shtuar tensionet dhe duke shkaktuar një reagim të fortë nga Metaj. Ai i drejtoi fjalë Vokshit me tone të ashpra, duke e kërcënuar se mund të përjashtohej nga komisioni për ngritjen e zërit ndaj tij.
Vokshi iu përgjigj duke i kërkuar Ndrecës të tërhiqte vëmendjen e deputetëve të opozitës dhe të mos guxonin të ngrinin zërin, duke theksuar se “aksionet politike” do të tregoheshin në forma të tjera dhe se nuk kishte vend për mosbindje civile në këtë komision.
Përgjigja e Metajt ishte po aq e ashpër, duke e akuzuar opozitën për sjellje destruktive, duke shtuar se Vokshi dhe anëtarët e komisionit duhet të respektonin më shumë fjalën e kolegëve, edhe nëse nuk ishin dakord. Ai gjithashtu ironizoi me “djegien e karrigeve”, duke sugjeruar se opozita ishte më shumë e frymëzuar kur e bënte këtë sesa kur uleshin për të diskutuar.
“Kush je ti që bërtet, kujt ia ngre zërin, ki kujdes se do të të nxjerr përjashta. Do na prisni 1 orë 2, 3 sepse jemi në komision hetimor. Mos guxo të më ngresh zërin. Do të përjashtohesh nga komisioni, Kujt i thua “dërr dërr? Ky është mentaliteti që kemi, mendoni se do t’i uzurponi të gjitha e do të na shkelni me këmbë.
Të lutem zoti Ndreca tërhiqi vëmendjen mos të guxojë më të ngrejë zërin sepse do të përjashtohet. Thuaji atij ta mbyllë gojën. Aksionin politik do t’u tregojmë në mënyra të tjera. Mosbidje civile nuk e kemi bërë në këtë komision”, tha Vokshi.
“Faleminderit që më dhanë fjalën. Ne kemi minimalen e sjelljes qytetare për të mos ju ndërprerë edhe kur ai thotë diçka për të cilën nuk jemi dakord. Dilni nga vetja për një moment dhe mos ndërprisni kolegët.
Karriget shoh që ju frymëzojnë më shumë kur i digjni se sa kur uleni mbi to. Nëse doni të fitoni kohën e humbur nga djegia e karrigeve mbani shënim gabimet se mbase përmirësoheni”, tha ai.