Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha të premten se gati 70% e viktimave që ka verifikuar në luftën e Gazës ishin gra dhe fëmijë dhe dënoi atë që e quajti një shkelje sistematike të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Raporti i OKB-së që nga fillimi i luftës, ku ushtria izraelite po lufton kundër militantëve të Hamasit, përfshin vetëm viktima që ka arritur të verifikojë me tre burime, dhe numërimi vijon.
8,119 viktimat e verifikuara është një numër shumë më i ulët se numri prej mbi 43,000 i ofruar nga autoritetet shëndetësore palestineze për luftën 13-mujore. Por ndarja e OKB-së për moshën dhe gjininë e viktimave mbështet pohimin palestinez se gratë dhe fëmijët përfaqësojnë një pjesë të madhe të të vrarëve në luftë.
Ky zbulim tregon “një shkelje sistematike të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare humanitare, duke përfshirë dallimin dhe proporcionalitetin”, tha zyra e OKB-së për të drejtat në një deklaratë që shoqëronte raportin prej 32 faqesh.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të Reuters për koment mbi gjetjet e raportit.
Ushtria izraelite, e cila filloi ofensivën e saj në përgjigje të sulmit të 7 tetorit 2023, në të cilin luftëtarët e Hamasit vranë, sipasautoriteteve izraelite, rreth 1200 njerëz në jug të Izraelit dhe kapën më shumë se 250 pengje, thotë se kujdeset të shmangë dëmtimin e civilëve në Gaza.