Vendosni fjalën kyçe....

Ekstradohet nga Spanja 47-vjeçari me dy mbiemra, organizoi vrasjen e 2 shtetasve në Vlorë


Policia e Shtetit ka njoftuar se është ekstraduar sot nga Spanja shtetasi Leonard Luzi, 47 vjeç, i njohur edhe me emrin Leonard Sejno. Ky person akuzohet për organizimin e një vrasjeje të mbetur në tentativë, pasi ngjarja është parandaluar nga autoritetet shqiptare.

Në njoftimin e policisë bëhet me dije se Leonard Luzi ka organizuar dhe porositur shtetasin Amarildo Nikolli për të ekzekutuar shtetasit Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, një krim që nuk u realizua për shkak të ndërhyrjes së forcave të rendit. Ekzekutori, Amarildo Nikolli, u arrestua në flagrancë para se të kryente vrasjen, dhe gjatë arrestimit iu sekuestrua një pistoletë e ngarkuar dhe e gatshme për të qitur.

Në vijim të hetimeve, është zbuluar se Leonard Luzi dhe të tjerë anëtarë të një grupi kriminal kishin planifikuar vrasjen në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Ky grup, sipas hetimeve, ka vepruar në formën e një grupi të strukturuar kriminal, dhe është akuzuar për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e krimit, si dhe për prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve dhe municionit.

Policia e Shtetit

Ekstradohet nga Spanja, shtetasi L. L. alias L. S., i cili akuzohet nga GjKKO-ja se organizoi vrasjen e 2 shtetasve në Vlorë (krim i parandaluar si rezultat i ndërhyrjes së Policisë).

Shtetasi L. L. alias L. S., u arrestua në Spanjë, gjatë operacionit të koduar “Rekrutuesi”.

Si rezultat i bashkëpunimit mes autoriteteve të Shqipërisë dhe Spanjës, në zbatim të marrëveshjes së ekstradimit, u ekstradua nga Spanja, shtetasi L. L. alias L. S., 47 vjeç, i lindur në Vlorë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

47-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal, kishte organizuar vrasjen e shtetasve E. M. dhe I. H.

Ky krim u parandalua nga Policia, pasi shtetasi A.N, u arrestua para se të kryente vrasjet.

Shtetasit A. N., në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje.