Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Beratit ka kërkuar dënimin me 25 vite burg për Byniamin Hajro, i akuzuar si organizator dhe ekzekutor i dy vrasjeve horror të ndodhura në vitin 1997, ku dy të rinj nga “Banda e Vakëfit”, Arjan Avdullai dhe Eduart Pema, u torturuan, u dogjën të gjallë dhe u tërhoqën zvarrë me makinë.
Pas hetimeve, Prokuroria kërkoi që Hajro të deklarohet fajtor për “Vrasje me paramendim”, të kryer në bashkëpunim. Hetimet kanë treguar se Hajro, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka organizuar rrëmbimin dhe torturimin e viktimave, duke i vrarë dhe djegur ato. Pas vrasjes, trupat janë tërhequr zvarrë përmes qytetit.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria Berat kërkon 25 vite burg për shtetasin B.H., për ‘Vrasje me paramendim’ ndaj dy personave, në vitin 1997
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat në përfundim të hetimit, kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit B.H., për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal ndaj viktimave E.P. dhe A.A., në vitin 1997 dhe dënimin e tij me 25 vjet burgim.
Në kuadër të proceidmit penal nr. 175 për vrasjen e dy shtetasve më 03.06.1997, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, pas analizës në tërësi të të dhënave dhe provave të marra, ka prova të mjaftueshme se i pandehuri B.H., ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar.
Nga hetimet rezultoi se i pandehuri, shtetasi B.H., në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar, pasi i kanë rrëmbyer viktimat E.P. dhe A.A., i kanë futur në një garazhd dhe i kanë tortuar duke i goditur me mjete të forta, me armë zjarri dhe duke i djegur ata të gjallë, duke iu shkaktuar kështu vdekjen. Pas torturave, autorët e veprës penale i kanë tërhequr zvarrë trupat e viktimave me makinë në qytet.
Prokuroria provoi se i pandehuri B.H., ka vepruar në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim (dy herë), parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal dhe ka kryer veprën penale duke qenë në rolin e organizatorit dhe ekzekutorit.
Sa më sipër u arrit në përfundimin se shtetasi B.H., me veprimet e tij të kundërligjshme ka konsumuar të gjithë elementët e veprës penale të “Vrasja me paramendim”, parashikuar nga neni 78/1 i Kodit Penal.