Vendosni fjalën kyçe....

Donald Trump pritet të emërojë Marco Rubio-n si Sekretar të Shtetit


Presidenti i zgjedhur Donald Trump është duke finalizuar përzgjedhjet për ekipin e tij të politikës së jashtme, duke planifikuar të emërojë kongresmenin e Floridës, Mike Waltz, si këshilltar për sigurinë kombëtare dhe senatorin Marco Rubio si sekretar të shtetit, sipas burimeve të njohura me çështjen.

Rubio, një kritik i ashpër i Iranit dhe Kinës, i cili aktualisht shërben në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, do të bëhet një nga anëtarët më të rëndësishëm të ekipit të politikës së jashtme të Trump-it nëse konfirmohet nga Senati vitin e ardhshëm.

 Si kubano-amerikan, Rubio do të bëhet gjithashtu latini i parë që shërben si diplomat kryesor i SHBA-së. 

Trump po lëviz për të plotësuar pozitat kyçe të administratës së tij pas fitores në zgjedhje javën e kaluar.

 CNN raportoi të martën se ai do t’i kërkojë gjithashtu guvernatores së Dakotës së Jugut, Kristi Noem, të drejtojë Departamentin e Sigurisë Kombëtare, përcjell Financial Times.

Waltz, 50 vjeç, një veteran ushtarak i dekoruar, kritik i NATO-s dhe skeptik për Kinën, do të bëhet një nga zyrtarët më të fuqishëm në Shtëpinë e Bardhë nëse merr postin, duke formësuar politikën e SHBA-së mbi konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

Si një ish-oficer i Forcave Speciale të Ushtrisë, ai ka shërbyer në disa misione në Afganistan, Lindjen e Mesme dhe Afrikë. 

Trump ka premtuar një ndryshim të madh në politikën e jashtme të SHBA-së krahasuar me Presidentin Joe Biden, duke u bazuar në një platformë unilaterale dhe jo ndërhyrëse.

Por Waltz dhe Rubio nuk shihen si izolacionistë të vendosur, çka mund të qetësojë ekspertët dhe ligjvënësit më tradicionalë të politikës së jashtme në Uashington.  

Matt Turpin, një bashkëpunëtor në Hoover Institution dhe ish-drejtor për Kinën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë administratës së parë të Trump-it, vuri në dukje se Rubio, i cili kandidoi për nominimin republikan në vitin 2016, ishte një nga kritikët e hershëm të Kinës në Uashington, shumë përpara se të tjerët në administratë të fokusoheshin në Pekin.

“Kjo përvojë dhe fokus te Kina përforcohen me përzgjedhjen e Mike Waltz-it si këshilltar për sigurinë kombëtare,” tha Turpin. “Kjo sugjeron se presidenti i zgjedhur Trump do të shtojë presionin ndaj Partisë Komuniste Kineze, ashtu siç bëri gjatë mandatit të tij të parë.” 

Ndryshe nga pozitat e tjera kryesore në administratë, këshilltari për sigurinë kombëtare nuk ka nevojë për konfirmim nga Senati, që do të thotë se Waltz do të mund të fillojë punën sapo Trump të bëjë betimin për një mandat tjetër katërvjeçar në janar.

Në administratën e tij të parë, Trump ndryshoi katër këshilltarë për sigurinë kombëtare.

Zgjedhja e tij e parë, ish-oficeri i inteligjencës ushtarake Michael Flynn, qëndroi më pak se një muaj pasi pranoi se kishte gënjyer FBI-në për kontaktet me një diplomat rus. Flynn u pasua nga HR McMaster, John Bolton dhe Robert O’Brien. 

Një zëdhënës i fushatës së Trump-it dhe zyrat e Waltz dhe Rubio nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. 

The Wall Street Journal raportoi për herë të parë të hënën se Trump kishte kërkuar nga Waltz të shërbente si këshilltar për sigurinë kombëtare. The New York Times raportoi për herë të parë se Trump pritet të emërojë Rubio-n. 

Më herët të hënën, presidenti i zgjedhur konfirmoi se kishte kërkuar nga kongresmenia e Nju Jorkut, Elise Stefanik, të shërbente si ambasadorja e ardhshme e SHBA-së në OKB.

Ai gjithashtu pritet të emërojë Stephen Miller, një këshilltar afatgjatë dhe mbështetës i ashpër i politikave kundër emigracionit, si zëvendësshef i stafit për politikën. 

Trump kishte pasur përplasje me Rubio-n gjatë garës republikane të vitit 2016, duke e quajtur “Marco i vogël,” por më pas e konsideroi senatorin e Floridës si një kandidat të mundshëm për zëvendëspresident në vitin 2024.

Rubio fillimisht kishte qenë një mbështetës i fortë i ndihmës për Kievin, por votoi kundër një pakete ndihme prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Tajvanin dhe Izraelin në prill, duke përmendur mungesën e dispozitave për sigurinë kufitare.

Ai i tha NBC-së në shtator se nuk ishte “në anën e Rusisë… por mënyra se si do të përfundojë lufta në Ukrainë është me një marrëveshje negociuese.” Javën e kaluar, ai tha se luftimet kishin arritur në një “ngërç.” 

Waltz ka qenë skeptik për ndihmën amerikane ndaj Ukrainës dhe ka bërë thirrje që vendet e NATO-s të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen kolektive.

Ai gjithashtu ka mbështetur pretendimin e Trump-it se presidenti i zgjedhur do të jetë në gjendje ta përfundojë luftën në Ukrainë që në “ditën e parë” të administratës së tij.