Vendosni fjalën kyçe....

Një promovim i pazakontë i vëllimit poetik “Shi me baltë” të Mero Bazes


Gazetarë, publicistë, miq e të ftuar u bënë bashkë, në promovimin e pazakontë të vëllimit poetik “Shi me baltë” të publicistit dhe gazetarit Mero Baze.

Kjo, pasi i pazakontë ka ardhur për shumë miq e kolegë lajmi se Mero Baze do të promovonte një libër me poezi.

 “Në poezinë e këtij libri gjejmë nënën dhe zogjtë, mëhallën dhe babain, djemtë dhe shkollën e fshatit, portat dhe oxhaqet që u mungojnë shtëpitë, realitetin e zhvillimit dhe të rrënimit, që i ka ndodhur ngrehinës tonë, fshatit dhe qytetit tonë, krahinës, vendit dhe njerëzve tanë, pra neve vetë.”

Kjo është një prej mijëra mënyrave që poeti Ilirian Zhupa thotë se ka për t’iu qasur vëllimit poetik “Shi me baltë” të gazetarit Mero Baze, duke u përqendruar në atë që libri përfaqëson: një rrugëtim i thellë brenda kujtesës, dashurisë për vendlindjen dhe dhimbjeve të fshehta.

Në parathënien e librit, Zhupa ka zgjedhur ta quajë këtë vëllim poetik si “Manuali i Mero Bazes për dashurinë.”

Autor i disa librave publicistikë, ndër zërat më të fortë e të rëndësishëm të analizës politike, siç e përshkruan edhe vetë parathënia e librit, në këtë vëllim poetik, do të gjeni anën tjetër të Mero  Bazes, përtej mburojës së përhershme. Do të gjeni aty ndjenjat, dhimbjen, trishtimin, humanizmin dhe të gjitha ato, të cilat shpesh mbeten të fshehura pas maskës së gazetarit luftarak.

Ndaj, edhe vetë autorit iu desh fillimisht të sqarontë këtë “faj”, siç e quajti edhe vetë, që kishte botuar një libër me poezi, duke treguar dhe origjinën e lidhjes së tij me poezinë.

Ai rrëfeu se përspari kish shkruar dhe botuar poezi, ndërsa gazetaria erdhi më vonë.

Por, eventi nuk ishte vetëm një promovim për poezinë e Mero Bazes; ai u kthye gjithashtu në një diskutim mbi distancën që ekziston sot mes gazetarisë dhe letërsisë, një shqetësim për atë çka po humbasim në botën e mediave moderne.

Ndër momentet e veçanta të mbrëmjes ishte leximi i një poezie kushtuar mikut të ndjerë Arben Runa, i cili ka ndërruar jetë vite më parë.

Në këtë mbrëmje, përtej analizës dhe ironisë që e karakterizon në gazetari, Baze zbuloi një anë të re – një zë poetik ndryshe dhe që duhet të dëgjohet.