Vendosni fjalën kyçe....

Sterilizimi/ Opozita kërkon shtyrjen e afateve të komisionit, Metaj: Nuk kemi faj që kohën për punë e konsumoni duke djegur karrige


Mbledhja e Komisionit Hetimor për Sterilizimin ka nisur me dëshminë e ish-ministrit Ilir Beqaj, i cili është paraqitur pas daljes nga qelia. Në nisje, kryetarja Albana Vokshi kërkoi shtyrjen e afateve të mandatit të komisionit, por propozimi nuk u mbështet nga mazhoranca. Kryetari i Komisionit, Plarent Ndreca, theksoi se kjo mund të diskutohet më vonë, por për momentin duhet të vijojë puna për të intervistuar Beqaj.

Diskutimet shpërthyen me akuza nga Edmond Spaho, i cili kritikoi mazhorancën për tentativën për të kontrolluar dëshmitarët dhe procesin hetimor. Ilir Metaj akuzoi opozitën për vonesa dhe përpjekje për të zgjasur komisionin pa arsye.

Pjesë nga diskutimi:

Edmond Spaho: Ky është komision hetimor që e kemi kërkuar ne dhe ju nuk mund të na imponoheni me dëshmitarët duke përcaktuar se ky duhet thirrur dhe ky jo.
Kjo sepse pas kësaj nuk ka kuptim hetimi. Ju përcaktoni dhe rezultatin sa kohë caktoni dëshmitarët. Por nuk është kjo rruga. Kur është menduar që të krijohen komisione hetimore është menduar të hetohet në thellësi dhe plotësi, dhe kjo është përgjegjësi e kërkuesit të komisionit. Roli i mazhorancës në komision është të mbajë minorancën brenda shinave të ligjit. Kushtetuesja ju tha që kërkuesi i komisionit ka të drejtë të thërrasë çdo dëshmitar. Nuk duhet thirrur Vilma Nushi si dëshmitare, pse nuk doni të vijë këtu apo ka status special.
Thoni publikisht që edhe kryeministri nuk dëshiron të vijë në komision dhe nuk do t’i dijë për përgjegjësinë për 200 e ca mln euro që ka për qytetarët. Nuk mendoj se puna e komisionit duhet të mbyllet pa u marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët që kemi kërkuar që në fillim.

Ilir Metaj: Harxhuam 2 orë kohë dje për të vonuar rendin e ditës dhe mesa duket këtë skenar keni edhe sot. Keni kërkuar shtyrjen për të disatën herë. Mbase keni vendosur të zgjasni komisionin edhe që të harroni për çfarë jeni mbledhur. Mbase doni të jeni këtu edhe në mandatin e 10 në opozitë. Nuk kemi faj ne që kohën për punë ju e konsumoni duke djegur karrige.

Vokshi: Deklaratat politike bëji në Surrel. Fol për procedurë, për mandatet shko te PS apo në Surrel. Futu direkt në rolin që të kanë dhënë, aman

Metaj: Thuaj edhe një herë aman, do e thuash edhe një herë? Nëse doni leksione si fitohen zgjedhjet dhe si ndërtohet një shtet, mbase gjen kohë në axhendë të planifikojë një seminar workshop me ju. Të mos humbim kohë e të kalojmë në rendin e ditës.

Korreshi: Dua ca leksione si ta kemi krimin e organizuar nga Rama, si vidhen kaq lekë nga buxheti i shtetit, si rrihet duke ngrënë dardha pas ose të thotë jam frikacak e nuk ma mban prapanica të vi në komision.