Agjencia e Mbrojtjes Policore referon në Prokurori disa prej efektivëve të Policisë së Shkodrës në lidhje me masakrën e Dobraçit.
Efektivët akuzohen se shpërdoruan detyrën sepse nuk ndaluan personin e dyshuar si i treti në makinë.
Bëhet fjalë për 4 efektivë të Njësisë së Shqiponjave. Pas masakrës burimet thanë se një person i tretë kishte qenë në makinë me dy viktimat Hamza Lici dhe Arlind Bushati që u vranë në një pritë me armë zjarri.
Ndërkohë viktima të rrethanave ishin dhe Flutura dhe Bashkim Basha, të cilët u aksidentuar teksa lëviznin me motor në kohën e atentatit.
Dyshohet se personi i tretë ka qenë ende në vendin e ngjarjes kur ka ndodhur vrasja dhe nuk është ndaluar nga efektivët e Shqiponjave.
Ky zhvillim vjen një ditë pasi Prokuroria e Shkodrës shpalli moskompetencën dhe krimi i rëndë i kaloi për hetim SPAK. Identifikimi i personit të tretë që mund të ketë qenë në makinën e viktimave është sfida e parë për prokurorët e Posaçëm. Edhe pse dyshohet se ka qenë Ibrahim Lici, nuk është konfirmuar nga prokurorët e Shkodrës.
Në makinën ku u vranë Hamza Lici dhe Arlind Bushati janë gjetur tre armë, një prej tyre në sedilen e pasme. Po kështu janë gjetur gjurmë të gjakut në sedilen e pasme të automjetit çka konfirmon se personi i tretë ka mbetur i plagosur dhe kjo gjë ka sjellë kontrolle në klinika private shëndetësore. Prokuroria po vepron në dy pista për të identifikuar dhe konfirmuar zyrtarisht personin e tretë, janë shenjat e gishtave dhe për këtë gjë po kryhen ende analiza. Ndërkohë që prova tjetër është shfaqja e një personi në pamjet e kamerave të sigurisë pak minuta pas masakrës, raportoi BalkanWeb.