Vendosni fjalën kyçe....

Balliu: Kemi denoncuar në SPAK deputetin e PS-së Anduel Tahiraj, ka fshehur pasurinë


Klevis Balliu tha sot se ka kallëzuar në SPAK deputetin e PS-së Anduel Tahiraj për fshehje pasurie e deklarim të rremë të pasurisë e shpërdorim detyre.

Në një deklaratë nga selia blu, koordinatori për Tiranën tha se askush nuk duhet të habitet për këtë pasi ky është parapëlqëimi i kryeministrit Rama për deputetët.

“Partia Demokratike, mbështetur mbi një investigim të emisionit “Piranjat”, ka denoncuar publikisht deputetin e Partisë së Edi Ramës, Anduel Tahiraj për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë dhe fshehje të të ardhurave, ushtrim të aktivitetit tregtar të paregjistruar, si dhe shpërdorim detyre.

Kur sheh listën e larmishme me shkelje, profili shoqëror që të vjen në mendje nuk është i një deputeti, por i një kundravajtësi recidivist. Por nuk duhet të habitemi, Rama kështu i preferon deputetët, sa më antiligjorë, sa më kriminelë duke filluar nga tipologjia Tahiraj e deri te tipat si Çyrbja. Nëpërmjet deputetëve të opozitës investigimi për deputetin e Ramës është konkretizuar në një kallëzim penal në SPAK, të cilit i kërkojmë të bëjë detyrën që i kërkon ligji. Sidomos t’i trajtojë si të barabartë të gjithë deputetë, jo të arrestojë dhe të burogosë pa prova ata të opozitës dhe të lërë të lirë me një mal provash ata të qeverisë.” – tha Balliu.

Ai shtoi më tej se PD-ja ka denoncuar prej disa vitesh aferat e pafundme korruptive të qeverisë që kanë ndikuar në varfërimin e shqiptarëve.

Ndërkohë nuk la pa përmendur burgosjen e deputetit Salianji dhe arrestin e kreut të PD-së Berisha e atij të PL-së Meta.

“Partia Demokratike ka denoncuar gjatë këtyre viteve afera të pafundme korruptive të cilat janë arsyeja themelore e varfërimit tuaj dhe familjes tuaj. Këto vjedhje bëhen të mundura nga kapja e drejtësisë nga Rama, që garanton mbrojtjen e parave të zhvatura nga pushtetarët hajdutë. Për njerëzit e partisë ka arrestime sa për shoë ndërsa për kundërshtarët politikë të qeverisë burgosje pa prova dhe arrestime që i bëjnë të duken si rrëmbime për të trembur njerëzit. Edi Rama mund të shfajësohet për hajdutët që mbledh rreth vetes, duke pretenduar se nuk e di kur i hanë kumbulla pas shpine, por një pyetje mbetet pa përgjigje. Si ka mundësi që ky zotëria shkon e gjen vetëm ata që vjedhin e vrasin? E ndjekin ata këtë apo i gjen ky vetë, se të tillë i duhen dhe të tillë i pëlqejnë?” – mbylli deklaratën Balliu.