Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku kritikon buxhetin për shëndetësinë: I pamjaftueshëm, shqiptarët i paguajnë nga xhepi shërbimet


Deputetja e PD-së Tabaku ka kritikuar buxhetin e vitit 2025 për shëndetësinë. Në një postim në Facebook ajo thotë se ai është i pamjaftueshëm dhe i padrejtë.

Sipas Tabakut, buxheti nuk parashikon shtesa domethënëse për shëndetësinë, dhe shqiptarët do vazhdojnë të paguajnë një përqindje të lartë nga xhepi i tyre për shërbimet shëndetësore.

” Sot, 48% e shpenzimeve për shëndetësinë mbulohen direkt nga xhepat e qytetarëve, ndërsa pjesa tjetër vjen nga taksat e tyre.” – shprehet ajo.

Ajo thekson se, përpos shëndetësisë, qytetarët shqiptarë janë të rënduar nga krizat e vazhdueshme të rritjes së çmimeve dhe pabarazisë në paga e pensione, të cilat i cilëson si pasojë e dështimeve të qeverisjes socialiste dhe investimeve të tepruara në projekte partneriteti publik-privat (PPP) të diskutueshme.

Në mesazhin e saj, Tabaku ngriti pikëpyetje se ku përfundojnë taksat e shqiptarëve, ndërsa theksoi rëndësinë e një buxheti më të drejtë dhe më të fokusuar për të përmirësuar shërbimet bazë për qytetarët.

“Ju premtuan shëndetësi falas, ju premtuan që nuk do të paguani asgjë nga xhepi për shërbimin shëndetësor. Ku jemi sot? Në cdo 10 lek që shpenzohen për arsimin, 5 lek dalin nga xhepi in qytetarëve shqiptarë. 50% e të gjithë buxhetit që shpenzohet për shëndetësinë vjen nga xhepi i qytetarëve shqiptarë. Shpenzimet për frymë në shëndetësi jan 266 euro ndërkohë që mesatarja e vendeve të BE është pothuajsë 10 herë më e lartë , 2650 euro, e rajonit të paktën dyfish sa Shqipëria 500 euro për frymë. Për shëndetësi paguhet nga xhepi i qytetarëve, për rritjen e cmimeve paguhet po nga xhepi i qytetarëve. Më pak fonde për buxhetin e shtetit, qoftë për arsimin,qoftë shëndetësia, qoftë të gjithë sektorët kryesorë duke përfunduar edhe me bujqësinë. Ku shkojnë taksat e qytetarëve shqiptarë? Ne kujtohemi për shëndetësinë sa herë që humb jetën dikush, sa herë që ndodh një skandal në spital, sa herë që detyrohen të mbulojnë propagandën e rradhës por realiteti i shifrave për shëndetësinë është i trishtë. është ai realiteti që gjithësecili që shkon e përballet në spital, detyrohet të paguajë nga xhepi i tij, realiteti i një buxheti që është gjithmonë i pamjaftueshëm, i një buxheti që nuk është për qytetarët edhe në rastin e shëndeteësisë duke e kthyer dhe shërbimin shëndetësor për pakicën jo për shumicën.” – thotë Tabaku.