Vendosni fjalën kyçe....

Fotot nga spitali krijojnë debat në komision, Vokshi-Xhelilit: Ju sfidoj të shkojmë bashkë t’i shohim


Në mbledhjen e Komisionit Hetimor për “Sterilizimin”, një debat i ashpër shpërtheu mes kryetares së komisionit, Albana Vokshi, dhe deputetit socialist Alban Xhelili. Shkak për këtë përplasje ishin fotot e paraqitura nga Vokshi, të cilat ilustronin gjendjen e mjeteve spitalore, të cilat, sipas saj, tregonin shenja ndryshku. Xhelili, nga ana tjetër, kundërshtoi këto pretendime, duke thënë se ato nuk ishin shenja ndryshku, por shenja leukoplasti.

Debati u zhvillua pas një mesazhi që Xhelili kishte marrë, ku besohej se fotot nuk ishin bërë në një strukturë spitalore. Xhelili e sfidoi Vokshin, duke pohuar se ato ishin foto të pasakta dhe duke u shprehur se shenjat që tregoheshin ishin të natyrës së leukoplastit dhe jo të ndryshkut.

Vokshi e sfidoi Xhelilin të shkonte me të në spital për të verifikuar nëse mjetet e paraqitura kishin ndryshk, duke theksuar se ky ishte një rast i rëndë, pasi përdorimi i autoklaveve të vjetra kishte rrezikuar jetën e qytetarëve. 

Debati:

Xhelili: Dje pasi kam dalë nga mbledhja më ka ardhur një mesazh që fotot e paraqitura në komisionin janë foto që nuk janë bërë në atë strukturë hospitaliere. Kjo pjesa është për ata që lyejnë vetullat.

Vokshi: Ia paskan çuar mbrëmë në darkë. Ju sfidoj shkojmë bashkë i shohim. Unë kur dal këtu e kam të verifikuar nga të gjitha anët. Hajde shkojmë në maternitet dhe e shohim a janë këta apo jo.

Xhelili: Kryetare jo më kot ju lashë të flisnit pa folur unë fare. E bëtë dhe dje, pa folur dëshmitari e dinit çfarë do të thoshte.

Vokshi: Ju e keni mendjen të mbroni Vilma Nushin dhe Edi Ramën.

Xhelili: Ato shenjat e ndryshkut që paraqisni në foto janë si puna e vetullave kur lyhen dhe t’ju thonë e keni me balkë.dhe Ato shenja janë të  shenja që lë leukoplasti. Mos i gënjeni njerëzit, sepse po të ishin veglat me ndryshk do të ishin njerëzit në spitale. Sot janë ulur infeksionet. Mos gënjeni kot me këtë pjesën.

Vokshi: Zoti Xhelili. Unë ia kam paraqitur dhe drejtorit të spitalit dhe e ka pranuar. E kam me burim të brendshëm. Stafi mi ka dërguar. Ju sfidoj, hajde shkojmë në spital dhe i verifikojmë. Në spitale po përdoren autoklavat e vjetra. Ju mbroni vjedhjen, korrupsion dhe abuzimin me mbi 200 mln euro dhe bravo ju qoftë se mendoni se Rama do vu vërë deputet. Po është turp shumë i madh të mbroni vjedhjen sepse ka kosto shumë të lartë për jetën e qytetarëve. Duhet t;ju vijë turp se në vend që të thoni hajde të bëjmë transparencë që këto koncesione mos të përsëriten më, ju i mbroni dhe më thoni pajisjet që unë tregova nuk ekzistojnë më.