Mbledhja e Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi është mbyllur pas orësh të tëra debate, rreth orës 2 të mëngjesit, pa mundur të dëshmojë ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Sali Berisha reagoi përmes një postimi në Facebook, duke e quajtur veprimin e Beqajt si pjesë të një “skenari banditesk” të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Ai shkruan se Beqaj kishte hyrë në sallë “brutalisht dhe pa autorizim”, duke kërcënuar dhe fyer deputetët e opozitës, me shpresën se ata do të largoheshin dhe ai do të pyetej vetëm nga “bashkëhajdutët” e tij të partisë.
Berisha e përshkroi këtë si një dështim të skenarit të qeverisë dhe shtoi se komisioni vazhdoi punimet, duke nxjerrë “lakuriq” abuzimet dhe vjedhjet e qeverisë para shqiptarëve.
“Miq, sipas një skenari banditesk të Edi Ramës, hajduti Beqja futet brutalisht paautorizuar në sallën e komisionit hetimor për vjedhjen e dytë të shekullit, i lejuar nga policia e burgjeve dhe garda, shan dhe kërcënon si bandid deputetët e opozitës me shpresë se ata do iknin dhe ai do pyetej vetëm nga bashkëhajdutët e tij rilindas.
Por skenari i hajdutëve dymetrosh dështoi. Komisioni vazhdoi punimet dhe hajdutët dolën lakuriq para shqiptarëve”, shkruan Berisha.