Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka reaguar nga qelia lidhur me ngjarjet e ndodhura në orët e para të mëngjesit të sotëm gjatë mbledhjes së Komisionit Hetimor të “Sterilizimit”. Beqaj shpjegon se ka hyrë në sallën e mbledhjes për të shprehur revoltat e tij ndaj fyerjeve dhe talljeve që ka marrë nga deputetët, sidomos nga deputetja Ina Zhupa. Ai thekson se nuk ka kërcënuar askënd, siç u pretendua, dhe se i është drejtuar Zhupës për mënyrën e papërshtatshme të trajtimit të tij, duke e trajtuar si “send”.
Beqaj shpjegon se ndodhej pranë sallës gjatë natës, duke pritur për të dhënë dëshminë e tij, kur dëgjoj deputeten Zhupa të sugjeronte që ai të kthehej në qeli pasi kishte kaluar ora 24:00, duke u referuar lejes së burgut. Ish-ministri thekson se sipas Kodit të Procedurës Penale, për të paraburgosurit, qëndrimi gjatë seancave nuk varet nga ora e lejes, por nga kohëzgjatja e seancës përkatëse.
Ai sqaron se ka hyrë në sallë vetëm për të shprehur revoltën ndaj mënyrës si po trajtohej, duke kundërshtuar çdo përpjekje për të fyer dinjitetin e tij, pavarësisht se është i paraburgosur. Beqaj shton se të gjithë dëshmitarët gjatë hetimeve kanë provuar se dy koncensionet në fjalë janë histori suksesi dhe akuzat e opozitës janë të pabaza.
Reagimi i plotë i Ilir Beqajt nga qelia:
“Prej marsit 2024, kur është miratuar ngritja e komisionit hetimor parlamentar për koncensionet në shëndetësi, nga deputetët nismëtarë jam përballur me akuza, fyerje si hajdut, kriminel etj. Kam pritur në heshtje ditën e përballjes në Komision. Ditën e martë jam paraqitur në orën 10 dhe deri në oren 19.30 jam penguar të jap dëshminë. është penguar të flasë edhe avokati im.
Ditën e mërkurë jam paraqitur në oren 10.30 sipas njoftimit dhe kam pritur deri në orën 01.40 të ditës së enjte. Edhe në mbledhjet e ketyre dy ditëve që janë publike, me zë dhe figurë, jam përballur me akuzat, talljet e fyerjet nga Vokshi, Zhupa, Koreshi dhe Hoti.
Në atë orë të natës, duke qëndruar pranë sallës së mbledhjes në pritje për të dëshmuar dhe duke ndjekur punimet e komisionit, kam dëgjuar deputeten Zhupa që sikur unë të isha send kërkonte që meqë kishte kaluar ora 24 e datës 13 nëntor të kthehesha në qeli, pasi sipas saj kjo ishte leja e dhënë nga Drejtoria e Burgjeve.
Sipas Kodit të Procedurës Penale edhe për një të paraburgosur në rast marrjeje në pyetje apo procesi gjyqesor, qëndrimi nuk varet nga orari i lejes, por kohëzgjatja e seancës përkatëse. Kam hyrë në sallën e mbledhjes vetëm një hap nga dera dhe kam shprehur haptazi revoltën time për talljen deri në kufijtë e torturës që bëhej prej më shumë se 14 orësh. Nuk kam kërcenuar apo fyer askënd.
I kam treguar i revoltuar deputetes Zhupa se jam aty në pritje prej orës 10.30. Edhe nëse jam i paraburgosur nuk pranoj të më fyejnë dhe të më marrin nëpër këmbë. Këtë e refuzoj, e kundërshtoj dhe do të vazhdoj ta kundërshtoj. Në 8 muaj hetime të komisionit, të gjithë dëshmitarët kanë provuar që dy koncensionet objekt hetimi janë histori suksesi. Dështimin politik deputetët e opozitës nuk i lejoj ta përcjellin në nëpërkëmbje të dinjitetit tim”.