Vendosni fjalën kyçe....

Mike Tyson përballet me Jake Paul – Një duel mes legjendës dhe yllit të rrjeteve sociale


Mike Tyson, legjenda e peshave të rënda në boks, mbajti një qëndrim të heshtur gjatë konferencës së fundit për shtyp para përballjes së tij me YouTuber-in e kthyer në boksier, Jake Paul.

Tyson, 58 vjeç, do të përballet me Paul, 27 vjeç, në një duel të shumëpritur në AT&T Stadium, shtëpinë e ekipit të NFL-së Dallas Cowboys, të premten mbrëma. 

Në konferencën për shtyp, ish-kampioni i peshave të rënda dha përgjigje të shkurtra, duke shmangur komentet e gjata, percjell AP.

Ky duel fillimisht ishte planifikuar për në korrik, por u shty pas trajtimit të Tyson për një ulçerë stomaku, e cila e detyroi të humbiste 12 kilogramë gjatë periudhës së rikuperimit.

Sipas bashkëthemeluesit të “Most Valuable Promotions”, Nakisa Bidarian, Tyson është në formë për të luftuar dhe ka kaluar të gjitha kontrollet e nevojshme. 

Shteti i Teksasit miratoi përballjen me disa kushte specifike: ndeshja do të zgjasë tetë raunde prej dy minutash secili, në vend të raundeve tre minutëshe që përdoren zakonisht, dhe me doreza më të rënda për të reduktuar ndikimin e goditjeve. 

Tyson, i cili nuk ka marrë pjesë në një ndeshje zyrtare që prej vitit 2005, tha shkurt: “Kam thënë gjithçka që kisha për të thënë. Tani pres vetëm që të luftoj.”

Nga ana tjetër, Paul u përpoq të provokonte Tyson-in, duke veshur një mbulesë veshi të zbukuruar me diamante, një referencë ndaj incidentit famëkeq të vitit 1997, kur Tyson kafshoi veshin e Evander Holyfield. Megjithatë, Tyson nuk iu përgjigj provokimit. 

Kjo ndeshje, e cila do të transmetohet në Netflix pa kosto shtesë për abonentët, shënon herën e parë që një ngjarje sportive transmetohet në këtë platformë.

Paul, me një rekord prej 10 fitoreve dhe vetëm një humbje, është favoriti për të fituar sipas BetMGM Sportsbook.

Tyson, me një karrierë të lavdishme prej 50 fitoresh, 6 humbjesh dhe 44 nokautesh, i ka qëndruar i vendosur: “Nuk do të humbas,” deklaroi ai kur iu bë dy herë pyetja për mundësinë e humbjes. 

Dueli kryesor do të paraprihet nga një ndeshje e shumëpritur midis Katie Taylor dhe Amanda Serrano për titullin e padiskutueshëm të superpeshave të lehta, duke shtuar më tej emocionet për fansat e boksit.