Ministrja e Shëndetësisë iu përgjigj pyetjeve të deputetit Agron Shehaj në interpelancën lidhur me skandalin tek spitali i Onkologjikut duke theksuar se Ministria ka shtuar kontrollet dhe inspektimet në spitale dhe farmacitë, duke marrë masa administrative për shkeljet e konstatuara. Ajo bëri të ditur se deri në nëntor të këtij viti janë realizuar 500 inspektime dhe janë vendosur sanksione për shkelje të ligjit.
Koçiu sqaroi se Ministria është e angazhuar të bashkëpunojë me organet e drejtësisë dhe të mbështesë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke theksuar se informacionet e publikuara deri tani janë indikacione dhe jo prova.
“Ministria e shëndetësisë është në dispozicion të organeve të drejtësisë për të vërtetën. Ajo që ka zbardhur mediat janë indikacione por nuk janë prova. Meritojnë të vlerësohen me kujdes.
Ne si ministri kemi rritur inspektimet dhe kontrollet mbi subjektet farmaceutike. Në vitin aktual nga janar në nëntor kemi 500 inspektime ku janë aplikuar masa administrative.
Tregtimi në rrjet të hapur të barnave për përdorim spitalor përbën shkelje të legjislacionit. Çdo subjekt që kryen këtë shkelje do mbajë përgjegjësi ligjore.
Nuk dua të shmang përgjegjësinë për stafet administrative për kontrolle periodike në farmaci dhe spitale. Kushdo që ka shkelur ligjin është i barabartë para ligjit. E kemi treguar për këdo.
Kemi përgjegjësi të referojmë çdo rast dhe të marrim masa dhe mbështesim pa hezitim veprimtarinë e organeve hetimore.”