Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së Indrit Vokshi ironizoi drejtuesit e selisë blu teksa tha se ata nuk kandidojnë kundër kreut të SPAK-ut Dumani dhe as kundër SHBA-së po me Ramën.
Sipas tij, kthimi në Kuvend është gjë e mirë për PD-në ndërsa theksoi se mosbindja civile nuk i sjell asnjë votë.
“Unë them që kanë bërë gjënë më të mirë që u kthyen në Kuvend, mosbindja civile nuk i ka prodhuar vota opozitës. Mosbindja civile nuk sjell asnjë rezultat pozitiv. 5 muaj para zgjedhjeve opozita duhet të jetë në Kuvend dhe të flasë. Problemi është tek mungesa e një mesazhi të qartë dhe të pëlqyeshëm nga njerëzit. Problemi kryesor në vend është papunësia dhe varfëria. Ata mendojnë se po kandidojnë kundër Dumanit dhe kundër SHBA-së, ata duhet të futen ‘në luftë’ me Ramën. Atëherë mund të flasin për rezultate për opozitën”, tha Vokshi.
Më tej ai e quajti përrallë atë që trumpetojnë drejtuesit e PD-së se pas fitores së Trump, Sali Berishës do i hiqet non grata.
“Trump gjëja e parë që do bëjë është t’i heqë non gratën Berishës? Kjo është qesharake. Këta vetëm duan të mbajnë militantët e tyre, t’i thonë prisni se sa të vijë Trump në pushtet, sepse do na shpëtojë. Marcio Rubio është emëruar Sekretar Shteti, ai njihet si politikan pro aleancave transatlantike për të mbajtur mirë marrëdhëniet me Europën. Dhe s’ka nevojë që të flitet më shumë për këtë. Por ata duan që t’i gënjejnë demokratët. Përralla që do vijë Trump dhe do heqë ‘non gratën’ është e pabesueshme”, shtoi Vokshi.