Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha në një intervistë për emisionin “Now” në Euronews Albania, nga burgu 313 ku po qëndron në izolim që nga arrestimi i tij, se njerëz të SPAK prej një viti i kishin sugjeruar të arratisej jashtë vendit.
Sipas Metës, qëllimi ishte që ta shmangnin nga aksionin opozitar dhe refuzimi çoi në rrëmbimin dhe izolimin e tij.
“Po është shumë e vërtetë që njerëz të regjimit dhe SPAK-ut prej një viti më kanë sugjeruar, jo për të më ndihmuar mua, por për të më shmangur nga aksioni opozitar dhe patriotik. Kjo provohet me faktin që pas refuzimeve të mia edhe publike, ata aktivizuan një proces fals për të më rrëmbyer dhe izoluar nga opozitarizmi siç e shpjegova më lart”, – tha ai.
Meta theksoi se nuk ka asnjë akuzë zyrtare të ngritur ndaj tij dhe ë ngritur ndaj tij dhe çdo gjë bazohet në hamendësime të personave të inkriminuar dhe me probleme me drejtësinë.
“Po jua përsëris që nuk kanë asnjë akuzë, asnjë prove apo fakt penal kundër meje, prezumohem i pafajshëm dhe në këto kushte dënimi ekziston vetëm në mendjet perverse të atyre që e ideuan dhe ekzekutuan këtë plan rrëmbimi politik për të përjetësuar Shqipërinë si koloni të Sorosit dhe mafias ndërkombëtare”, – u shpreh Meta.
Ai tregoi se ka preferuar të qëndrojë te 313 dhe jo në një burg ku ndoshta kushtet mund të ishin më të mira, për të qenë pranë familjes dhe miqve. I pyetur nëse i mungon aktiviteti fizik të cilin e ka pasur të pandarë në liri, Meta u përgjigj se me vullnetin që ka mund të shpikë palestrën edhe brenda hapësirës së vogël të qelisë.
“Dua të jem pranë prindërve, motrës dhe fëmijëve. Nuk dua të “lodh” shumë edhe avokatin meqenëse edhe ju e kërkoni nëpër studio. Por dua të jem edhe sa më pranë drejtuesve të Partisë së Lirisë.
Për sa i takon palestrës e kam thënë edhe më parë se një njeri që s’ka vullnet edhe po të flejë në palestrën më të mirë mund të mos bëjë asgjë. Ndërsa ai që ka vullnet e shpik “palestrën” edhe në 15m2…
Dita ime është e mbushur kryesisht me lexime, shënime, kujtime dhe me letra që u shkruaj kolegëve, miqve e të afërmve dhe po kështu duke lexuar letrat e tyre. Po qëndroj vetëm, por nuk ndihem vetëm. Ndërkohë bëj ushtrime të ndryshme stretching, etj”, – tha Meta.