Policia ka arrestuar në Elbasan një 34-vjeçar, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Kosovës për veprimtari të paligjshme në fushën e narkotikëve. I akuzuari, Erion Etemaj, dyshohet për kultivimin e bimëve narkotike dhe për blerje, posedim dhe shpërndarje të paautorizuar të substancave psikotrope dhe narkotikëve.
Ai u arrestua me qëllim ekstradimin në Kosovë, ku Gjykata Themelore e Pejës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Etemaj akuzohet për “Kultivimin e bimëve të hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe për “Blerjen, posedimin dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, veprime që janë të ndaluara nga Kodi Penal i Kosovës.
Njoftimi i policisë:
I akuzuar nga autoritetet kosovare, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, kapet në Elbasan dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimin në Kosovë, 34-vjeçari.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga strukturat e Komisariatit të Policisë Elbasan dhe i shkëmbimit të këtyre informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, u bë e mundur kapja në fshatin Papër dhe arrestimi me qëllim ekstradimin drejt Kosovës, i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar: E. E., 34 vjeç, banues në Elbasan.
Gjykata Themelore e Pejës, me vendimin e datës 30.10.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve të hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, parashikuar nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet kosovare, për ekstradimin e 34-vjeçarit.