Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënë detaje në lidhje me protestën që do të mbahet të martën, duke theksuar se ajo do të përfshijë mobilizim brenda dhe jashtë Parlamentit.
Berisha njoftoi se kërkesa kryesore e protestuesve është miratimi i një amendamenti që vendos një minimum jetik prej 200 eurosh për çdo shqiptar që merr më pak se kaq, ose që nuk ka të ardhura fare.
Sipas Berishës, ky amendament ka një rëndësi jetike për të përballuar varfërinë që ka prekur një pjesë të madhe të popullsisë, veçanërisht pensionistët.
“Do të ketë mobilitet, brenda dhe jashtë parlamentit. Qëllimi ynë është të miratohet amendamenti që vendos minimumin jetik, 200 euro për çdo shqiptar që merr më pak se kaq, apo që nuk merr asgjë.
Pra ky është një hap i parë i një rëndësie jetike për të shuar, ulërimin e sirenave të mjerimit dhe varfërisë anë e kënd vendit. Natyrisht këto sirena ulërinë më shumë se kudo tjetër, tek pensionistët shqiptarë”, tha ai.