Policia Kufitare e Shkodrës ka finalizuar operacionin “Burimi”, duke arrestuar 51-vjeçarin L. N., banues në Fushë Milot, i cili u kap në hyrje të Shqipërisë me 680,595 euro të fshehura në dyert e modifikuara të automjetit që drejtonte.
Paratë dyshohet se rrjedhin nga aktivitete kriminale dhe ishin destinuar për t’u futur ilegalisht në vend. Gjatë operacionit, u sekuestruan edhe automjeti dhe dy celularë.
Hetimet vijojnë për të provuar burimin e parave, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Burimi”. Sekuestrohen 680 595 euro që dyshohet se rrjedhin nga krimi.
Fshehu paratë, në dyert e modifikuara të automjetit që drejtonte, me qëllim futjen e tyre ilegalisht në Shqipëri, arrestohet 51-vjeçari.
Sekuestrohen shuma e eurove, automjeti tip “Benz” dhe 2 celularë.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacionit të siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Muriqan, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, finalizuan operacionin policor të koduar “Burimi”.
Gjatë operacionit, u kap në hyrje të Shqipërisë dhe u arrestua shtetasi L. N., 51 vjeç, banues në Fushë Milot.
Nga kontrollet në vijë të dytë, në automjetin që drejtonte ky shtetas, u gjetën në 2 hapësira të modifikuara në dyert e pasme, 680 595 euro, të cilat ky shtetas synonte t’i fuste ilegalisht në Shqipëri.
Vijojnë hetimet për të provuar burimin e parave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.