Vendosni fjalën kyçe....

“Çështja në shqyrtim” – BE nuk ka datë për heqjen e masave ndëshkuese për Kosovën


Në Bashkimin Evropian vazhdojnë të thonë se masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në vitin 2023, janë të përkohshme dhe se ato mund të hiqen, varësisht veprimeve në terren. Për heqjen e masave, sipas zyrtarëve në Komisionin Evropian, është i nevojshëm pajtimi i të gjitha shteteve anëtare, përcjell REL.

Kështu tha më 15 nëntor zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, Peter Stano.

“Përgjigja është sikurse herën e fundit. Çështja është duke u shqyrtuar në Këshill dhe do të vendoset nga vendet anëtare pa marrë parasysh se kur do të nisin mandatin institucionet e reja”, u përgjigj Stano në pyetjen se a do të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës para përfundimit të mandatit të Komisionit aktual Evropian apo do të pritet përbërja e Komisionit të ri.

Fati i rekomandimit që ka bërë përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, për heqjen e masave ndaj Kosovës mbetet i paqartë edhe pse për këtë po bisedohet vazhdimisht në grupet punuese të BE-së, ku marrin pjesë vendet anëtare.

“Nuk ka ndryshim në këtë drejtim”, tha një diplomat i BE-së për Radion Evropa e Lirë.