Vendosni fjalën kyçe....

Plarent Ndreca del nga SPAK pas katër orësh marrje në pyetje


Deputeti socialist, Plarent Ndreca, dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme SPAK, pas rreth katër orësh marrjesh në pyetje.

Ndreca nuk dha detaje mbi çka u pyet por pohoi se ai do të shprehet në çastin që e sheh më të duhur lidhur me thirrjen e tij në SPAK.

Më 25 tetor SPAK  përfundoi hetimet për Ndrecën, i cili u mor i pandehur për akuzën e shkeljes pabarazisë në tenderë lidhur me procedurat për rikonstruksionin e katër komisariateve në vend.

Shkelja, dyshohet se ka ndodhur në kohën kur Ndreca ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, që drejtohej nga Sandër Lleshaj.

Ndreca përfundoi në SPAK nga një kallëzim i Kontrollit tëi Lartë të Shtetit (KLSH), i cili dyshonte se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë.

Sipas KLSH-së, gjatë kontrollit u gjetën mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik.

Gjithashtu ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit.

Për çështjen prokurorët kanë marrë në pyetje edhe ish-ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Asokohe Lleshaj shprehej se ishte thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen e tenderëve nën hetim nga SPAK.