Vendosni fjalën kyçe....

Pllaka më e vjetër prej guri me Dhjetë Urdhëresat e Biblës do shitet në ankand


Pllaka e gurit më e vjetër e njohur me Dhjetë Urdhëresat nga Dhjata e Vjetër pritet të arrijë deri në 2 milionë dollarë kur të dalë në ankand muajin e ardhshëm.

Guri, që daton rreth 1500 vjet më parë në epokën e vonë romako-bizantine, është një artefakt i jashtëzakonshëm nga bota antike, por ishte i harruar për qindra vjet.

Me peshë 52 kg dhe me lartësi dy metra, guri u zbulua në vitin 1913 gjatë gërmimeve për një linjë të re hekurudhore në pjesën jugore të vendit ku sot është Izraeli.

Ai u gjet afër vendeve të sinagogave, xhamive dhe kishave të hershme dhe ishte e shkruar me 10 ligjet biblike në shkrimin paleo-hebraik. Megjithatë, rëndësia e gjetjes nuk u vlerësua plotësisht dhe guri vijoi të përdoret si shtrojë jashtë shtëpisë së dikujt për tre dekada. Mbishkrimi ishte vendosur me fytyrë lart dhe guri ishte i ekspozuar ndaj lëvizjes së njerëzve.

Për fat të mirë, rëndësia historike e pllakës u njoh dhe u ruajt përfundimisht.

Sipas një deklarate për shtyp dërguar CNN nga Sotheby’s, që do nxjerrë në ankand pllakën në Nju Jork muajin e ardhshëm, guri iu shit një studiuesi në vitin 1943. Ky individ i paidentifikuar “e njohu atë si një dekalog të rëndësishëm samaritan që paraqet parimet hyjnore qendrore”, thuhet në deklaratë.

Samaritanizmi është një fe e lashtë, monoteiste e bazuar në pesë librat e parë të Dhiatës së Vjetër. Megjithëse i lidhur me judaizmin, samaritanizmi ka malin Gerizim – në Bregun Perëndimor të sotëm – si vendbanimin e Jehovait, në vend të malit Sion.

Guri përmban 20 rreshta, që shfaqin vargjet nga Bibla, të përbashkëta për traditat hebraike dhe të krishtera. Ankandi do zhvillohet më 18 dhjetor, por pllaka  do jetë e disponueshme për t’u parë në sallonin e ankandit të Nju Jorkut nga 5 dhjetori.

Vitin e kaluar, një Bibël hebraike më shumë se 1000 vjeçare u shit për 38.1 milionë dollarë në Sotheby’s në Nju Jork.