Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria ka një kërkesë të madhe për punonjës të kualifikuar në sektorët e turizmit dhe ndërtimit, duke i cilësuar pagat në këto fusha si shumë të mira.
Në podkastin e tij “Flasim”, Rama njoftoi planin për të hapur një dritare pune për emigrantët në Greqi, Itali dhe Gjermani, duke ofruar kontrata konkrete për vende pune në Shqipëri. Ai e quajti “çmenduri” të qëndrosh në ndërtim në Greqi kur në Shqipëri ka kërkesë dhe paga të larta.
“Po përgatitemi të hapim një dritare për ata që janë në emigracion në fushën e ndërtimit dhe turizmit.
Është çmenduri të rrish në ndërtim në Greqi, dhe të mos vish këtu kur kërkesa është shumë e madhe për njerëz të kualifikuar dhe paga është super. Dhe me këtë dritare do ta hapim në Athinë Milano, Gjermani patjetër për ti dhënë oferta konkrete të tregut, psh. bari ka nevojë për një person dhe kjo është kontrata, do të shikojmë se si do të ecë”, u shpreh Rama.