Dita ka nisur e qetë këtë të shtunë në një prej rezidencave më të mira të kryeqytetit. Pavarësisht bujës së madhe për një operacion të gjerë antidrogë dhe paradës së makinave të Policisë dhe Forcave Speciale, jeta ka vijuar si normalisht sot.
Banorët që jetojnë në këtë komunitet të madh dhe të qetë i integruar brenda Tiranës, janë shprehur se në zonë nuk ka asnjë laborator droge dhe kjo është provuar dhe nga operacioni i djeshëm.
Sipas tyre, efektivët kanë bastisur një vilë ku jeton një person që është dyshuar si pjesë e një grupi për prodhim dhe trafikim kokaine, por nuk kanë gjetur as laborator dhe asnjë pajisje tjetër të paligjshme që mund të shërbejë për prodhimin e drogës.
Banorët e rezidencës “Kodra e Diellit” thonë se edhe personi i dyshuar, sipas Policisë së Shtetit, konsiderohet prej tyre si një person i qetë, shumë familjar dhe i rregullt me banorët e tjerë. Ndaj, ata janë habitur nga akuzat dhe bastisja e shtëpisë.
“Ne rezidencën Kodra e Diellit nuk ka asnjë laborator droge dhe Policia duhet të sqarojë mediat dhe ne si qytetarë, jo të damkosë pa të drejtë dhe të shpifë ndaj një komuniteti të tërë banorësh”, është shprehur një nga rezidentët.
Ata kërkojnë nga Policia e Shtetit që të dalë me deklaratë urgjente dhe të mos vonojë më tepër, nëse ka gjetur diçka në vilën që ka kontrolluar, ose të sqarojë se ka qenë thjesht një kontroll dhe në komunitetin e tyre nuk ka asnjë laborator droge.
Po ashtu, rezidentët e “Kodrës së Diellit” janë shprehur të shqetësuar dhe për prezencën e madhe të mediave prej orëve të mbrëmjes së djeshme dhe mëngjesin e sotëm, si dhe lajmet e transmetuara, se në këtë zonë është gjetur një punishte kokaine dhe përzierës.
Ajo që dihet e saktë deri tani, është fakti se në banesën e kontrolluar nga Forcat Speciale janë gjetur pesë persona dhe janë shoqëruar që të gjithë, por nuk raportohet për lëndë narkotike apo pajisje për prodhimin e saj. Një nga personat e shoqëruar, është pikërisht pronari i vilës që jetonte te “Kodra e Diellit”./Newsbomb.al