Një 37-vjeçar nga fshati Peshtan Bregas, Fier, është arrestuar në flagrancë pasi policia ka zbuluar lëndë narkotike canabis sativa të ndarë në doza dhe të gatshme për shpërndarje. Arrestimi i tij erdhi pas një operacioni policor të koduar “Peshtani” të zhvilluar nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponja.
Gjatë kontrollit të automjetit që ai drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën doza të lëndës së dyshuar narkotike. Ndërkohë, në shtëpinë e tij, policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme kanabis të ndarë në qindra doza, 12 fishekë arme gjahu, 3 gërshërë që shërbenin për ndarjen e lëndës narkotike, 2 milionë lekë dhe 700 euro, si dhe 5 celularë.
Për këtë rast, babai i tij, 61-vjeçari D.M., është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se ka pasur një rol në këtë aktivitet kriminal.
Njoftimi i Policise:
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në kuadër të kontrolleve për parandalimin e shitjes së lëndëve narkotike, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponja, pas një pune të mirëfilltë policore kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Peshtani”.
Për këtë rast u arrestua shtetasi J(E). M., 37 vjeç, banues në fshatin Peshtan Bregas, Fier. Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit që ky shtetas drejtonte, shërbimet e Policisë kanë gjetur doza të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa.
Nga kontrolli i banesës shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në qindra doza gati për shitje, 12 fishekë arme gjahu, 3 gërshërë që shërbenin për të përgatitur (ndarë) lëndën narkotike, një shumë parash prej 2 milionë lekë dhe 700 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale bashkë me 5 celularë.
Për këtë rast u shpall në kërkim shtetasi D. M., 61 vjeç, banues në fshatin Peshtan Bregas, babai i shtetasit J(E). M”, informoi sot policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.