Një anije spiune ruse është larguar nga Deti Irlandez pasi hyri në ujërat nën kontrollin e Irlandës dhe patrullonte një zonë që përmban kabllo nënujore kritike për energji dhe internet.
Anija, e identifikuar si “Yantar”, u pa të enjten në lindje të Dublinit dhe në jugperëndim të Isle of Man, pas ndjekjes fillestare nga forcat detare dhe ajrore të Norvegjisë, SHBA-së, Francës dhe Britanisë së Madhe.
Këto forca e kishin vëzhguar duke shoqëruar një luftanije ruse, “Admiral Golovko”, përmes Kanalit të La Manshit fundjavën e kaluar, sipas The Guardian.
Anija detare irlandeze “LÉ James Joyc” e përcolli ”Yantar”-in jashtë zonës ekskluzive ekonomike (EEZ) të Irlandës rreth orës 3 të mëngjesit të premten, ndërsa trupat ajrore vijuan të monitoronin lëvizjet e saj drejt jugut.
Kabllo nënujore kritike
Prania e “Yantar”-it ka ngritur shqetësime të reja për sigurinë e kabllove ndërlidhëse mes Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat transmetojnë trafik global interneti nga qendrat e mëdha të të dhënave të kompanive si Google dhe Microsoft, që kanë selitë e tyre në BE në Irlandë.
Anija u pa gjithashtu të hënën dhe të martën në perëndim të Cork-ut, ku ndodhen kabllo të tjera që lidhin Irlandën me Francën dhe disa ofrojnë ndërlidhje transatlantike.
Në një moment, ajo u pozicionua vetëm 5-7 kilometra në veri të kabllove që lidhin Irlandën dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke shkaktuar shqetësime për një survejim të mundshëm.
Deklarata nga ekspertët
Edward Burke, profesor i asociuar në historinë e luftës në Universitetin e Dublinit, e përshkroi situatën si alarmante:
“Përsëri po shohim marinën ruse duke testuar mbrojtjen e Evropës Perëndimore. Kjo është një tjetër thirrje zgjimi – një thirrje që nuk duhet të na nevojitej – për të forcuar aftësitë detare të Irlandës dhe për të thelluar partneritetet e saj të sigurisë detare në Evropë.”
ktiviteti i “Yantar”-it
Forcat irlandeze raportojnë se anija operoi tre drone mbi ujërat irlandeze, duke ngritur dyshime për mbledhje të dhënash. “Yantar” klasifikohet zyrtarisht si një anije ndihmëse kërkimore oqeanografike me aftësi shpëtimi nënujore, por është e lidhur me Ministrinë ruse të Mbrojtjes.
Analistët e inteligjencës mendojnë se misioni i saj ka të bëjë më shumë me mbledhjen e inteligjencës dhe sinjalizimin strategjik sesa me sabotim.
Forcat detare irlandeze dhe britanike kanë bashkëpunuar ngushtë për të monitoruar anijet ruse që hynë në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar.
Gjatë lëvizjes në Kanalin e La Manshit, “Yantar” dhe shoqëruesit e saj u ndoqën nga anijet britanike “RFA Tideforce” dhe “HMS Iron Duke”, të cilat më pas ia dorëzuan mbikëqyrjen forcave franceze.
Kur “Yantar” u shkëput nga *Golovko* dhe u drejtua në Detin Irlandez, u ndoq nga “HMS Cattistock”.
Incidenti u bë publik kur “Yantar aktivizoi për rreth katër minuta sistemin e identifikimit automatik pranë Isle of Man, para se ta çaktivizonte atë duke hyrë në EEZ irlandeze.
Forcat irlandeze u përpoqën të kontaktonin me ekuipazhin rus, por nuk morën përgjigje.
Rreth orës 3 të mëngjesit të premten, anija u largua nga ujërat irlandeze dhe vazhdoi rrugën drejt jugut.