Vendosni fjalën kyçe....

Zëdhënësi i Hezbollahut vritet nga sulmi izraelit në qendër të Bejrutit


Zëdhënësi për mediat i grupit militant Hezbollah, Mohammad Afif mbeti i vrarë gjatë një sulmi izraelit në kryeqytetin e Libanit, i tha një zyrtar i Hezbollahut agjencisë së lajmeve Associated Press.

Ky ishte sulmi i parë ajror i ndërmarrë nga forcat izraelite në qendër të Bejrutit që prej më shumë se një muaji.

Më herët, zyrtarët palestinezë njoftuan se sulmet izraelite në Rripin e Gazës shkaktuan vdekjen e 12 personave.

Zyrtari i grupit Hezbollah, i cili foli në kushte anonimiteti tha se Mohammed Afifi u vra në sulmin në qendër të Bejrutit.

Prania e tij publike u shtua pas përshkallëzimit të ndërhyrjes ushtarake izraelite në shtator dhe vrasjes së udhëheqësit të Hezbollahut Hassan Nasrallah, që po ashtu u vra në një sulm ajror të Izraelit.

Gjatë së premtes, Izraeli kreu sulme në zonat periferike në jug të Bejrutit pasi ushtria kishte paralajmëruar banorët që të evakuonin një sërë ndërtesash, përcjell VOA.

Grupi militant Hezbollah ka prani të fortë në zonën e njohur si Dahiyeh dhe sulmet u kryen në një kohë që zyrtarët libanezë po shqyrtojnë një propozim të Shteteve të Bashkuara për armëpushim.

Po ashtu të dielën, policia izraelite tha se kishte arrestuar tre persona, pasi në rezidencën private të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyah në qytetin Caesarea u hodhën dy shashka.

Zoti Netanyahu dhe familja e tij nuk ishin në banesë dhe nuk pati të lënduar, njoftuan autoritetet.