Vendosni fjalën kyçe....

Fermerët francezë u rikthehen protestave


Fermerët do protestojnë në gjithë Francën të hënën, pasi perspektiva e një marrëveshjeje tregtare midis vendeve evropiane dhe “Mercosur” thekson pakënaqësinë mbi  konkurrencën e huaj që nxiti një krizë bujqësore në fillim të këtij viti.

Një shtytje nga BE-ja dhe blloku “Mercosur” i Amerikës së Jugut për të përfunduar negociatat e gjata tregtare deri në fund të vitit ka rindezur zemërimin në Francë.

Një zhgënjim i ngjashëm u shpreh nga fermerët në gjithë Evropën dimrin e kaluar pas një rritjeje të importeve nga Ukraina pas pushtimit të Rusisë.

Megjithatë, disponimi në Francë është përkeqësuar më tej, pas korrjeve të goditura nga shiu, shpërthimeve të sëmundjeve të bagëtive dhe zgjedhjeve parlamentare që vonuan masat e premtuara për të qetësuar protestat e mëparshme, të cilat panë fermerët të bllokonin autostradat për javë të tëra.

“Ne kemi të njëjtat kërkesa si në janar, asgjë nuk ka ndryshuar,” tha Armelle Fraiture në fermën e saj të qumështit në veri të Parisit.

“Ne duhet ta bëjmë qeverinë të kuptojë se mjaft është mjaft”.

Ndërsa fermerët përballen me importe më të lira që hyjnë në vend, rregullore të rënda dhe të ardhura të pakta, një marrëveshje e “Mercosur” do e derdhte kupën, tha Arnaud Rousseau, kreu i sindikatës kryesore të fermerëve të Francës FNSEA, për BFM TV të dielën.

Dhjetëra mijëra ferma në Francë, prodhuesi më i madh bujqësor i BE-së, ishin në probleme financiare, tha ai.

Fermerët francezë kanë frikë se një marrëveshje “Mercosur” do sjellë më shumë mish viçi, pulë, sheqer dhe misër nga Brazili dhe Argjentina, vende që ata thonë se përdorin pesticide në të mbjellat dhe antibiotikë për rritjen e kafshëve që janë të jashtëligjshme në Evropë.