Presidenti rus Putin i ka bërë të qarta tashmë qëndrimet e tij mbi një miratim të mundshëm nga vendet perëndimore që Ukraina të kryejë sulme me rreze të gjatë thellë brenda territorit rus, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova.
“Presidenti ka shprehur mendimin e tij për këtë çështje”, tha Zakharova për median RBK të dielën.
Në shtator, Putin deklaroi se forcave ukrainase u mungon aftësia për të kryer sulme me raketa me rreze të gjatë të furnizuar nga Perëndimi pa ndihmë të jashtme.
“Nuk është fjala për të lejuar regjimin ukrainas të godasë Rusinë me këto armë apo jo. Bëhet fjalë për të vendosur nëse vendet e NATO-s do përfshihen drejtpërdrejt në konfliktin ushtarak apo jo”, tha ai.
Putin shtoi se nëse do merrej një vendim që lejon sulmet, Moska do merrte “vendimet e duhura në përgjigje të kërcënimeve që do na paraqiten”.
Ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se leja nga Biden që Kievi të përdorë raketa me rreze të gjatë për të goditur thellë në Rusi do ishin një përshkallëzim dramatik i luftës.
Peskov deklaroi se qëndrimi i Moskës për këtë çështje u formulua qartë në fillim të këtij viti nga presidenti Putin, i cili ka thënë se sulmet përgjatë linjave të kërkuara nga Zelensky do ishin të pamundura pa kontributin e drejtpërdrejtë të inteligjencës perëndimore dhe ekspertizës ushtarake prej tyre. Nëse kryhen, sulme të tilla do nënkuptojnë se “kombet e NATO-s janë në luftë me Rusinë,” paralajmëroi ai.