Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë një thirrje të fortë për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, duke u kërkuar atyre të shprehin revoltën ndaj kryeministrit Edi Rama në çdo takim, duke e pritur atë me vezë dhe domate.
Në një mesazh për bashkatdhetarët shqiptarë në Londër, Berisha theksoi se Rama është “armiku” i popullit dhe se nuk duhet hezituar të shprehet zemërimi ndaj tij.
Kryedemokrati gjithashtu falenderoi ata që morën pjesë në takimin masiv dhe bëri një krahasim me fushatat e shtrenjta të politikanëve të tjerë, duke e akuzuar Ramën për shpenzime të shfrenuara dhe vjedhje të pasurisë publike.
“Dëshiroj të falenderoj me shumë mirënjohje ata qindra e qindra bashkëatdhetarë tanë në Britaninë e Madhe, në Londër, për takimin e djeshëm, një takim me një pjesëmarrje masive, me një entuziazëm të papërmbajtur, me një diskutim të hapur.
Mirënjohjen më të thellë secilit prej tyre, i pranishëm në atë sallë.
Ndjesën më të madhe të gjithë atyre qindra e qindra që nuk gjetën vend në sallë, se salla duhej të ishte edhe dy herë më e madhe që t’i merrte të githë.
Por edhe mirëkuptimin e tyre, se ne ndjekim standarde të tjera në takimet tona.
Salla që dega e PD kishte kontraktuar, kushtonte gjithsej 750 paund. Pra, kushtonte 25 herë më pak se sa salla që Ediskobari ka kontraktuar.
Dhe përsëri ne do ruajmë këto standarde.
Këto standarde u provuan fitimtare.
1.6 miliardë dollarë u shpenzuan në fushatën e zonjës Kamala Harris.
Imagjinoni ju, me të gjithë lustrën e Hollivudit dhe këngëtarëve më të mëdhenj të atij vendi, lumë milionash, miliardash, por fitoi jo luksi, salltanetet dhe korrupsioni.
U ndala këtu për të ftuar çdo qytetar, të mbani shënim këto shpenzime të shfrenuara të Edi Ramës se që të gjitha direkt apo indirekt janë vjedhje të taksave ose pasurive tuaja.
Edhe njëherë mirënjohje të pakufishme bashkatdhetarëve tanë dhe ftesa ime: me guxim, ta presin me vezë e domate Edi Ramën kudo që të vërë këmbën, jashtë vendit dhe në çdo qytet të Shqipërisë.
Armiku është armiku dhe nuk duhet hezituar për të shprehur zemërimin ndaj tij”, u shpreh ai.