Vendosni fjalën kyçe....

“Veprime të tilla, të padobishme dhe të dëmshme”- Nesër në GJKKO, Meta: Mos protestoni për mua


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka bërë apel për anëtarët dhe simpatizantët e tij të mos marrin pjesë në protesta para Gjykatës së Apelit, ku nesër do të zhvillohet seanca gjyqësore për revokimin e masës së arrestit me burg ndaj tij.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta ka njoftuar se është vënë në dijeni për iniciativat e paautorizuara për të organizuar protesta, por ka theksuar se veprime të tilla janë të dëmshme dhe të padobishme. Ai ka shtuar se beteja e tij ligjore do të vazhdojë në sallën e gjykatës dhe se çështja është një proces politik pa prova konkrete.

“Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë së Lirisë!

Siç jeni në dijeni, nesër në ora 10:00, në Gjykatën e Apelit (GJKKO) zhvillohet seanca gjyqësore me objekt revokimin e masës së paligjshme të arrestit me burg të aplikuar ndaj meje prej një muaji.

Jam në dijeni të iniciativave të personave të paautorizuar nga unë apo spontane për të protestuar përpara gjykatës.

Ju bëj me dije se veprime të tilla janë të padobishme dhe të dëmshme.

Betejën time ligjore e kam bazuar në parashtrimin e gjithë të vërtetave përpara gjykatës duke denoncuar inekzistencën e provave ndaj meje në këtë proces kryekëput politik.

Në këto kushte, çdo grumbullim apo protestë para gjykatës në ditën e gjykimit i konsideroj si shpërqëndrim të opinionit publik ndaj thelbit të çështjes, ndaj ju bëj thirrje të distancoheni nga çdo iniciativë për grumbullime dhe protesta.

I Juaji, Ilir Meta”, shkruan kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.