Vendosni fjalën kyçe....

2025, Bashkitë e Veriut “diskriminohen” me fondet e transfertave nga buxheti


Mallkimi për të qenë të varfra po ndjek bashkitë e vogla të Veriut, të cilat po vuajnë shpopullimin e shpejtë, mungesën e infrastrukturës dhe burimeve të mjaftueshme për të zhvilluar standardet e jetesës.

Vitin që vjen buxheti i shtetit do të akordojë 42 miliardë lekë (420 mln euro) fonde në formën e transfertës së pakushtëzuar tek njësitë e pushtetit vendor me rritje gati 17% më shumë se vitin e kaluar.

Duke krahasuar nivelin e transfertës për secilën bashki shihet se ato të Veriut (përveç Kukësit) kanë rritje të financimeve më pak se mesatarja kombëtare.

Sipas përpunimit të të dhënave nga Ministria e Financave në vitin 2025, bashkitë e Devollit, Vorës, Dimalit, Sarandës, Roskovecit, Konispolit, Finiqit, Belshit dhe Dropullit marrin nga transferta e pakushtëzuar 22-24% më shumë fonde se viti i kaluar (shiko grafikun e mëposhtëm).

Në anën tjetër, bashkia e Malësisë së Madhe, Shkodrës, Vlorës, Tropojës, Divjakës, Maliqit, Dibrës kanë rritje të buxheteve nga transferta me pak se 14%. Shkodra dhe Malësia e Madhe kanë rritjen më të ulët.

Përveç Kamzës dhe Kukësit të gjitha bashkitë e Veriut kanë rritje fondesh më pak se mesatarja kombëtare.

Ministria e Financave në relacionin e projektbuxhetit 2025 vuri në dukje se ndarja e fondeve në transfertën e pakushtëzuar mori në konsideratë të dhënat e cens 2023. Në bashkitë që do të kishte rënie të madhe të popullsisë rritja e fondeve do të ishte më e ulët.

Studime të tjera kanë treguar se reduktimi në banorë i bashkive të Veriut erdhi nga niveli i lartë i varfërisë dhe burimet e kufizuara të jetesës sidomos për të rinjtë. Kështu raporti popullsi-financim nga buxheti është futur në një rreth vicioz. Njerëzit zhvendosen nga bashkitë e varfra, ndërkohë qeveria redukton burimet me tej pasi ka më pak njerëz.

Sipas të dhënave të Cens 2023 Bashkia e Shkodrës kishte reduktimin më të madh të popullsisë në krahasim me të tjerat.

Detajimi i transfertës sipas vlerës tregon se bashkia e Tiranës merr financimet më të mëdha nga buxheti me rreth 6,1 miliardë lekë vitin që vjen ose 16.8 për qind më shumë se më 2024. Transferta për bashkinë e Tiranës zë 14.4 % të totalit të fondit të përllogaritur për vitin që vjen.

Bashkitë vuajnë mungesën e fondeve për të zhvilluar planet vendore, por nga ana tjetër nuk kapacitetet për të menaxhuar ato, pasi në vitin 2023 shumica e tyre “dogjën” fondet për investime publike./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor