Ukraina ka përdorur për herë të parë raketat amerikane ATACMS për të goditur territorin rus, një zhvillim që Moska e cilësoi si një përshkallëzim të madh në ditën e 1,000-të të luftës.
Rusia raportoi se forcat e saj rrëzuan pesë nga gjashtë raketa të lëshuara drejt një objekti ushtarak në rajonin Bryansk, ndërsa mbetjet e njërës prej raketave goditën objektin, pa shkaktuar viktima apo dëme, përjell Reuters.
Nga ana tjetër, Ukraina deklaroi se kishte goditur një depo armësh ruse rreth 110 kilometra brenda territorit rus, duke shkaktuar shpërthime sekondare, por nuk specifikoi armët e përdorura.
Ky sulm vjen pasi Presidenti Joe Biden miratoi këtë javë përdorimin nga Ukraina të raketave amerikane me rreze të mesme për sulme të tilla, një hap që Moska e ka quajtur përshkallëzim dhe ka paralajmëruar se mund ta bëjë Uashingtonin një palë direkte në konflikt, duke kërkuar hakmarrje.
Në këtë moment të luftës, Ukraina ka planifikuar vigjilje për të përkujtuar 1,000 ditët e përplasjes me Rusinë, mes bombardimeve ajrore mbi Kyiv dhe paqartësive për mbështetjen perëndimore, veçanërisht ndërsa Donald Trump përgatitet të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Ekspertët ushtarakë vlerësojnë se përdorimi i raketave amerikane mund të ndihmojë Ukrainën të mbrojë një zonë të pushtuar brenda territorit rus si një aset për negociata, por nuk pritet të ndryshojë drejtimin e luftës që ka zgjatur 33 muaj.
Ndërkaq, kthimi i Trump në pushtet për dy muaj pritet të sjellë ndryshime më domethënëse në qëndrimin e SHBA-së. Trump ka premtuar ta përfundojë shpejt luftën, megjithëse nuk ka shpjeguar sesi.
Në një adresim në parlament, Presidenti Volodymyr Zelenskiy tha se “momentet vendimtare” të luftës do të ndodhin brenda vitit të ardhshëm:
“Në këtë fazë të luftës, vendoset kush do të fitojë. Ne mbi armikun, apo armiku mbi ne, ukrainasit… dhe europianët. Dhe mbi këdo në botë që dëshiron të jetojë i lirë dhe të mos i nënshtrohet një diktatori.”
Një ceremoni përkujtimore me qirinj ishte planifikuar për më vonë të martën, në kujtim të mijëra qytetarëve ukrainas të vrarë dhe mbi 6 milionë refugjatëve që jetojnë jashtë vendit, ndërsa popullsia e Ukrainës është tkurrur me një të katërtën që nga fillimi i pushtimit.