Detaje të reja janë zbardhur nga dëshmia e autorit të vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, një bashkëmoshatar i tij, i cili është marrë në pyetje nga grupi hetimor. Autori ka deklaruar se konflikti me Canin kishte nisur të premten, për një arsye banale: “po më shikonte”.
Sipas tij, të hënën ishin përballur sërish, duke rënë dakord për t’u “sqaruar”. Përleshja ka nisur brenda ambienteve të shkollës “Fan Noli” dhe ka përfshirë edhe shokë nga të dyja palët. Në konflikt kishte ndërhyrë edhe oficerja e sigurisë së shkollës, por përplasja kishte vazhduar deri në momentin tragjik.
I pyetur për pendesë, autori nuk ka pranuar të flasë. Ai gjithashtu ka refuzuar të tregojë vendndodhjen e thikës së përdorur, duke thënë se nuk e kishte në shkollë, por e kishte fshehur në afërsi.
“Jemi zënë të premten sepse po më shikonte. E kishin lënë për t’u sqaruar. Pastaj jemi zënë sërish të hënën. Ai lajmëroi shokët si dhe unë shokët e mi. Gjatë përleshjes ndodhi ajo që ndodhi”, ka thënë ai sic raporton Shqiptarja.com.